Përgatitet mësimi online? 17 mijë mësues janë trajnuar për përdorimin e platformave

Ministria e Arsimit ka nisur përgatitjet për mundësinë e rikthimit të mësimit online. Deri më tani, 17 mijë mësues në të gjithë vendin janë trajnuar për përdorimin e platformave online. Madje mësuesit kujdestarë kanë nisur komunikimit me nxënësit për tu shpjeguar platformat ku do të kenë akses për të ndjekur mësimin.

Në rast se situata pandemike në Shqipëri do të përkeqësohet atëherë mësimi do të zhvillohet online.

Për këtë arsye, 17 mijë mësues deri tani janë trajnuar për të dhënë mësim në platformat online.

Pritet që në 23 tetor të përfundojë i gjithë procesi i trajnimit.

Gjithashtu vetë nxënësit në disa shkolla  të Tiranës pohojnë se mësuesit kujdestarë po shpërndajnë në grupet e komunikimit me nxënësit adresat nga të cilat mund të kenë akses për të hyrë në platformë.

"Për Akademi.al na kanë thënë që të regjistrohemi. Ka një javë."

"Na kanë dërguar kodin për secilën klasë, secila zyshë."

Por jo të gjitha shkollat janë në të njëjtën fazë. Në disa ende nuk ka nisur informimi i nxënësve për platformat ku do të ndjekin mësimet.

Një pjesë e tyre megjithëse pohojnë se rregullat anti-Covid po zbatohen me përpikmëri thonë se do të donin ti riktheheshin mësimit online.

"Nuk na kanë thënë gjë por shpresoj të vazhdojë online. Po përhapet më shumë pandemia."

"Në klasa nuk kemi marrë akoma një njoftim të dytë që mund të vazhdojmë online, përgatitjet dhe pyetjet që a jemi gati ne në rast të një situatë ekstreme janë bërë. Për mendimin tim është mjaftueshëm efektiv, njohuritë i marrim, kohë për të mësuar në shtëpi kemi."

Para nisjes së vitit akademik, Ministria e Arsimit zhvilloi një sondazh ku prindërit dhe nxënësit dhanë mendimin e tyre për formën se si do të zhvillohej mësimi.

90 për qind e të pyeturve kërkuan rikthimin në klasa, por duke respektuar protokollet anti-Covid.