Kryeprokurori vartësve në Korçë: Provoni pavarësinë, hetoni krimin financiar e pasuritë

Kryeprokurori, Olsian Çela, kritikoi prokurorët e Korçës për hetimin e krimit financiar.

Ai ka deklaruar se nuk duhet pritur vetëm nga kallëzimet, por duhet vlerësuar çdo informacion apo denoncim që vjen edhe nga mediat.

"Numri i veprave penale që lidhen me krimin financiar, pastrimin e produkteve mbetet relativisht i ulët në prokurorinë e Korçës. Kjo kërkon një qasje proaktive. Nga prokurorët e Korçës duhet të vlerësohet çdo burim informacioni që lidhet me evazionin fiskal, pastrimi e parave dhe asetet kriminale. Nuk duhet të lihet jashtë vëmendjes çdo informacion në media. Nuk mund të keni një rol pasiv".

Prokurorët me ligj janë të pavarur, por kryeprokurori Çela i sfidoi ata që ta tregojnë me punë dhe të fitojnë besimin e publikut që e pranon se mungon.

"I kemi dhënë mundësinë çdo prokurori të mbrojë me fanatizëm pavarësinë e tij në vendimmarrje".

Prokurori i Përgjithshëm vlerësoi si shumë të rëndësishëm procesin që do të nisë për zgjedhjen e drejtuesve të rinj në prokurori nga ana e Këshillit të Lartë të Prokurorisë, KLP.

Koordinimi i operacioneve me agjensitë e tjera ligjzbatuese ishte një tjetër porosi për përfaqësuesit e akuzës në qarkun e Korçës.