Dhamo: Heqja e akcizës për bujqësinë pozitive, të mos vendosen kushte që e bëjnë jo efektive nismën

I ftuar në Ora News, profesori i ekonomisë Sotiraq Dhamo u shpreh se heqja e akcizës për bujqësinë është një hap i mirë i qeverisë.

Ai shtoi se në lidhje me këtë lehtësim duhen parë kushtet e tjera, në mënyrë që të mos e bëjnë jo eficente këtë heqjeje.

Sotiraq Dhamo: Për çdo masë që lehtëson hyrjen e burimeve në bujqësi apo ul kostot, është pozitive. Ne kemi një konkurrencë të ashpër me produktet e vendeve të tjera. Një nga pikat më kryesore është çmimi. Duhen parë kushtet, se vendoset heqja e akcizës, por vendosen kushte që e bëjnë jo efektive këtë heqje të akcizës.

Naftëtarët kanë një të drejtë që të paguhen për një punë që kanë bërë. Për sa kohë u takon paga, qeveria duhet të paguajë, por çështja reale është se si do të ecet me këtë sektor në të ardhmen. Duhet të shihet nëse ia vlen që të investohet apo të vazhdohet në një sektor tjetër.

Dhamo tha se është momenti që të shikohet me prioritet nxjerrja e naftës dhe përpunimi i saj.

Sotiraq Dhamo: Ulja e taksës së akcizës mund ta rrisë kërkesën për karburant. Është momenti që të shikohet me prioritet nxjerrja e naftës dhe përpunimi i saj. Duke parë se naftë është një ndër elementët kryesorë të ekonomisë botërore, duhet parë se si të rriten mundësitë që të eksportohet jashtë. Mendoj se ekziston mundësia që shteti të investojë fuqishëm për përpunimin e naftës.  Qeveria duhet t' i japë një drejtim këtij sektori.

Intervistoi Matilda Mcini, përgatiti A. Kurti