Nuk ka kthim pas, vijon bojkoti i futbollit në vend
Liga Profesioniste e Futbollit vendos të vijojë bojkotin.
Lajmin e jep vetë presidenti i LPF, Edvin Libohova.
“Pas diskutimeve u vendos që të vazhdojnë, deri në momentin e zgjidhjes së kërkesave. Jemi në pritje të një takimi me qeverinë. Vendimi për të vazhduar bojkotin ishte unanim", është shprehur Libohova.
Vendimi u mor pas një mbledhjeje të zhvilluar në "Air Albania" ku përveç presidentëve të klubeve të futbollit merrte pjesë edhe Sekretari i Përgjithshëm i FSHF, Ilir Shulku dhe shefi i garave në këtë institucion Marjus Sulejmani.
Kryeministri Edi Rama, në një dalje publike të para pak ditëve, injoroi kërkesat e klubeve duke mos ofruar asnjë zgjidhje, ndërsa bojkoti i tyre është mbështetur edhe nga UEFA dhe FIFA.
Letra e plotë që FIFA dhe UEFA i kanë dërguar FSHF-së:
“I dashur Sekretar i Përgjithshëm,
Jemi vënë në dijeni të letrës suaj të datës 21 shtator 2020 në lidhje me situatën e Kategorisë Superiore në Shqipëri dhe vendimin për të bojkotuar nisjen e sezonit 2020/21.Ne e kuptojmë se ky vendim, i cili mbështetet nga FSHF, vjen si pasojë e refuzimit aktual të Qeverisë shqiptare për të miratuar një sërë reformash kryesore në kuadrin ligjor, që prek klubet e futbollit profesionist në vendin tuaj.
Siç e dini, FIFA dhe UEFA në përgjithësi inkurajojnë krijimin e një kuadri rregullator kombëtar gjithëpërfshirëse, që mbështet zhvillimin e futbollit në të gjitha nivelet. Rëndësia e ruajtjes së një marrëdhënieje të ngushtë dhe konstruktive të punës midis organeve të futbollit dhe autoriteteve qeveritare (në përputhje me të drejtat dhe përgjegjësitë e tyre përkatëse) nuk ka nevojë të mbivlerësohet. Kjo vlen veçanërisht për sfidat e pashembullta që ka përjetuar futbolli si rezultat i ndikimeve të COVID-19. Këto sfida kërkuan – dhe vazhdojnë të kërkojnë – një nivel të jashtëzakonshëm bashkëpunimi.
FIFA dhe UEFA nxisin qeverinë shqiptare dhe FSHF-në të gjejnë zgjidhje të arsyeshme dhe të përshtatur për kërkesat e klubeve shqiptare të futbollit në mënyrë që sezoni të fillojë pa shtyrje të mëtejshme.
4 kërkesat e Ligës Profesioniste të Futbollit:
Miratimi i një ligji të ri për sponsorizimet, sipas formës së propozuar nga komuniteti i futbollit, pasi ndryshimet e propozuara nga qeveria nuk kanë asnjë efekt.
Përfshirjen e të gjitha aktiviteteve ekonomike të futbollit në TVSH-në e reduktuar në masën 6% si bujqësia dhe turizmi dhe jo vetëm infrastrukturën sportive.
Zerimin e gjobave dhe kamatë-vonesave për detyrimet fiskale të prapambetura për të shmangur kolapsin financiar të klubeve.
Zgjatjen e efekteve të përjashtimit nga tatimi mbi të ardhurat për sportistët nga 2 në 10 vite.