Legjenda e futbollit shqiptar Sabah Bizi, “Nderi i Kombit", Meta e krahason me Bekenbauer

Në një ceremoni të veçantë në sheshin përpara bashkisë Shkoder, presidenti Ilir Meta dekoroi me titullin “Nderi i Kombit" Sabah Bizin, një prej legjendave të futbollit shqiptar.

Bizi pa frikë mund të cilësohet futbollisti më i gjithanshëm në historinë e futbollit tonë dhe Ilir Meta nuk nguroi ta cilësojë si “Bekembaueri shqiptar”.

Meta: Bizi ishte futbollisti që do të fitonte duelet edhe me më të mëdhenjtë e kohës së tij si Bekenbauer, Prohaska, apo Dejne. Bizi arriti të jetë kapiten i Kombëtares falë autoritetit të ‘tij të madh. Ai u bë Kampion i Ballkanit me ‘Partizanin’ dhe një  protagonist i ndeshjeve të mëdha me Gjermaninë Perëndimore në barazimin e paharrueshëm të vitit 1967, kur Kombëtarja jonë falë atij barazimi skualifikoi ekipin e Bekenbauerit nga finalet e kampionatit evropian.

Të shumta ishin personalitetet sportive që u bënë pjesë e kësaj ceremonie, ndërsa shprehen vlerësimet e tyre për Sabah Bizin, emrin që është rreshtuar mes më të mirëve të futbollit shqiptar.

Vetë Bizi, mes emocioneve thotë se ndjehet i vlerësuar që Vllaznisë i shton edhe këtë medalje personale, afro 1 vit pasi ky klub mori po nga presidenti Meta titullin “Nderi i Kombit”.

E ka një mesazh për të rinjtë që sot veshin fanellën e skuadrës së tij të zemrës, Vllaznisë.

Sabah Bizi ishte mesfushori me tipare moderne që udhëhiqte ekipin, duke lënë gjurmë në fushën e blertë.