Kodi i ri Zgjedhor, Paloka: Rama ka shkelur gjithçka, edhe marrëveshjet që ka firmosur vetë

Në një intervistë për Ora News, përballë gazetares Matilda Mcini, nënkryetari I PD, Edi Paloka ka komentuar zhvillimet e fundit politike në vend, kryesisht votimin e Kodit të ri Zgjedhor.

Sipas tij, me këtë akt kryeministri Edi Rama ka shkelur gjithçka, përfshirë edhe marrëveshjet që ka firmosur vetë.

“Është shkelur marrëveshja e 14 janarit e firmosur edhe nga Rama dhe mbi të gjitha pika ku thekson se çdo vendim që kalon në parlament duhet të kalojë me konsensusin e Këshillit politik.

Vijmë te marrëveshja e 5 qershorit. Neni 90, mos gaboj, në një nga nenet flitet qartë se si do të ndahen mandatet e një partie brenda koalicioneve. Është shkelur gjithçka, rregullat, morali dhe marrëveshjet që Rama I ka firmosur vetë”, tha Paloka.

Edhe komisioneri për zgjerim në BE, Oliver Varhelyi, gjatë konferencës së përbashkët me kryeministrin Edi Rama por edhe gjatë fjalës në parlament, theksoi se, reforma zgjedhore dhe gjithçka ka dalë nga Marrëveshja e 5 Qershorit janë kusht për konferencën ndërqeveritare.

"Si komisioner i zgjerimit kam mirëpritur rezultatet e marrëveshjes së 5 Qershorit 2020 për zgjedhjet, e cila zbaton rekomandimet e OSBE/ODIHR. Unë inkurajoj të gjitha palët të mbajnë fokusin këto reforma të domosdoshme për Shqipërinë, përfshirë reformat e parashikuara në Marrëveshjen e 5 Qershorit.

Më lejoni të jem i qartë: Reforma Zgjedhore është kusht për Konferencën e Parë ndërqeveritare”, u shpreh komisioneri për zgjerim.