Deklarata e Ramës për heqjen e kufirit me Kosovën, Serbia notë proteste Shqipërisë

Serbia i nis një note proteste Shqipërisë.

Ministria e Jashtme në Beograd ka thirrur ambasadorin e Shqipërisë Ilir Boçka për ti dorëzuar notën e protestës.

Shkak për këtë veprim të qeverisë serbe janë bërë deklaratat për heqjen e kufirit gjatë mbledhjes së përbashkët të qeverive Shqipëri-Kosovë, e zhvilluar më 2 tetor në Tiranë.

Gjatë fjalës së tij në këtë mbledhje, kryeministri Edi Rama do të shprehej se, synimi është heqja e kufijve në pikat doganore mes Shqipërisë dhe Kosovës.

Sipas tij, kjo do të arrihet përmes nënshkrimit të disa marrëveshjeve, njëra ndër të cilat është edhe puna e përbashkët mes Ministrive të Brendshme të dy vendeve.

Edi Rama: Është kënaqësi e posaçme që pavarësisht këtij momentk kaq të vështirë që po kalojmë ne dhe mbarë bota, kufizimi i kontakteve dhe kushtet për takime të afërta janë shumë të kufizuara, arrijmë që ta organizojmë së bashku këtë takim të 6-të ndërqeveritar Shqipëri-Kosovë këtu në Tiranë, pikërisht në 100- vjetorin e kryeqytetitPërpara se të vinim këtu kemi pasur një bisedë miqësore me Kyeministrin dhe kemi rënë dakord që të investohemi së bashku për të çuar përpara një projekt të përbashkët duke filluar sa më parë nga puna për 150-vjetorin e Lidhjes së Prizrenit, i cili është ende larg në kohë por jo aq larg për të mos menduar qysh sot për një projekt të përbashkët rikualifikimi urban tërësor të qytetit historik të Shqiptarisë.

Ambicia jonë është heqja e kufirit në funksion të zbatimit të 4 lirive të BE-së në rajonin tonë duke nisur nga më e thjeshta dhe më kuptimplota heqja e kufirit mes Shqipërisë dhe Kosovës. Besoj që është e rëndësishme që Ministritë e Brendshme të të dyja shteteve të intensifikojnë punën për të mundësuar kontrollin në kohë reale të pikave kufitare, gjë që do të na mundësonte hapjen përfundimtare të kufirit pa humbuar asnjë centimetër në frontin e betejës kundër aktiviteteve të paligjshme dhe kundër çdo forme abuzimi me lirinë e lëvizjes. Porti i Durrësit të kthehet në një port strategjik. Ambicia jonë nuk duhet të ndalet vetëm në një stacion. Me këtë marrëveshje do të mundësojmë ligjërisht edhe kryerjen e kontrolleve të përbashkëta. Një port të përbashkët në Durrës të Shqipërisë dhe të Kosovës në funksion të gjithë rajonit. Së shpejti ne nisim pas një odiseje të gjatë ndërtimin e hekurudhës Tiranë-Durrës dhe ky hap tjetër besoj që shkon në drejtimin e duhur.