Kush është babai i 5 qershorit? Murrizi: E keni braktisur në Befotrof; Balla: Vetëm nëna dihet gjithmonë
Edhe pse anë kaluar muaj nga firmosja e marrëveshjes së 5 qershori, deputeti Myslim Murrizi deklaroi nga foltorja e Kuvendit se ende nuk e di kush ishte ideatori i kësaj marrëveshje.
Ndaj për këtë ai kërkoi ndihmën e Taulant Ballës, por ky i fundit me batuta tha se "vetëm nëna është e sigurtë gjithmonë, babai nuk dihet".
Lidhur me miratimin e ndryshimeve në kodin zgjedhor, Murrizi tha se e vërteta është se listat për votë preferenciale janë të hapura por shpërndarja e mandateve është antikushtetuese
Murrizi: Sa për suksesin e 5 qershorit, akoma sot e kësaj dite edhe pse jam këtu brenda nuk e di kush është baba ligjor de facto gjenetik dhe politik i 5 qershorit. Kur Taulanti të më tregojë kush e lindi 14 janarin që u kurorëzua me një fëmijë hibrid në 5 qershor, ndoshta po është ndonjë burrë i mirë Taulant babai i 5 qershorit do ta vlerësoja. Por mesa shoh 5 qershorit nuk i del për Zot asnjë lloj babe, por po e quajnë si fëmijë të braktisur në Befotrof.
Ne e miratuam një kod zgjedhor por e vërteta është se listat për votë preferenciale janë të hapura por shpërndarja e mandateve është antikushtetuese se nuk prevalon vota e qytetarit por firma e kryetarit. Ndoshta me të drejtë Ralfi mendoi se ndoshta 163 e kishte gatuar Oliveri, nuk besoj. Oliveri përkrahu fort 5 qershorin, por 5 qershorin me 30 korrikun i ndan Danubi në mes.
Balla: Zoti Murrizi pyeti për nënën dhe babain e marrëveshjes, të gjithë e dinë që vetëm nëna dihet, babai nuk dihet. Nuk po hyjmë në këtë diskutim.
Kreu i Grupit Demokrat Murrizi komentoi edhe vizitën e komisionerit për Zgjerimin e BE në Tiranë dhe mesazhet që ai përcolli në fjalimin drejtuar deputetëve.
Murrizi: Isha gjysmë dakord me biografinë dhe fletërrufenë që kolegu Gjoni, ndoshta me të drejtë, ja tha në këtë foltore Varhelyi. Nuk e di nga vjen, kush është dhe çfarë përfaqëson se nuk kam ndërmend të bëj biografinë e asnjë joshqipfolësi që shkel në Shqipëri, vjen në parlament, punon në Ambasada apo takon shqiptarët më problematikë të këtyre 30 viteve.
Një këshillë nëse nuk ka ikur prapë për në Rinas: Mos dëgjoni vetëm hallexhinjtë e politikës që hallin e kanë të përbashkët, por dëgjoni çfarë thonë shqiptarët që halli i këtyre hallexhinjve të politikë i ka bërë që të ikin rreth 2 mln shqiptarë në 30 vite të shpërndarë si zogj korbi në rreth 200 shtete që ka OKB.
Po takuat këta dhe na e shitët edhe ne këtu dhe shqiptarëve jashtë si arritje e madhe e punës së BE, e komisionerit të zgjerimit apo të ngushtimit të Europës, pse është pajtuar Rama me Lulin dhe dy javët e fundit është nxehur Meta, pse është pajtuar Meta me Lulin dhe nxehet Rama, pse është pajtuar Rama me Metën dhe nxehet Luli. A të keqen mos na hapni barkun! Zoti Oliver, dhe emrin e paske si ai që unë kam qenë tifoz i çmendur, portieri i Gjermanisë, dëgjo çfarë thonë shqiptarët e tjerë.
Sot në komision të Sigurisë po diskutojmë ligjin e azilit.Kur shoh që vendi jonë, që ka përzënë dhe eksportuar me shumicë 2 milionë azilantë në njëfarë mënyrë, bën ligj për të pritur azilantë të tjerë nuk e di a është në dijeni Oliveri për këtë arritje që vendet e botës së tretë aspirojnë të vinë dhe të marrin status azilanti në Republikën e Shqipërisë apo jo?