Përplasen për ndërhyrjen e Turqisë, Gjoni: Jemi shtet laik. Valteri: Islamofob i thekur, do isha i lumtur të kisha miqësi me Erdogan

Nga po shkon Shqipëria, drejt Lindjes apo Perëndimit? Orientimi i Shqipërisë ka përplasur në Kuvend deputetët e opozitës parlamentare Ralf Gjoni dhe Halit Valteri.

Gjoni dha alarmin se Shqipëria po shkon drejt katrahurës me alternativat fetare të sponsorizuara nga presidenti turk Erdogan.

Gjoni: Ne jemi vend laik, e kam fjalën për alternativat fetare që ndërhyjnë në politikë. Shqipëria duhet të përgatitet për një skenar të tillë në të ardhmen nëse këtu ikin të gjithë njerëzit e shkolluar, njerëzit laikë. E kam me alternativat fetare të sponsorizuara nga miku i kryeministrit dhe shefit tuaj Erdogan për të futur hundët në tendera dhe politikbërjen e Shqipërisë që është një politikë laike.

Por me këtë gjuhë nuk ishte dakord Valteri që i tërhoqi vëmendjen duke u shoprehur se në Kuvend nuk kanë vend njerëz të tillë islamofob.

Valteri: Ralf lërë fenë jashtë parlamentit dhe kur të flasësh për zonjat e nderuara me shami laj gojën mirë se janë shumë herë më të nderuara dhe të lartësuara se ti dhe ata që mbron ti. Me Erdoganin do të kisha shumë dëshirë edhe unë të kisha miqësi por çfarë të bëj që nuk kam, nuk më ka lidhur jeta, por do të isha shumë i nderuar të kisha miqësi me Erdoganin.

(Deputeti Gjoni ndërhyn nga vendi)

Valteri: E nderuar drejtuese e seancës, të lutem njerëz që janë islamofob kaq të thekur mundohuni ti largoni nga kjo seancë. Ralf jam më shqiptar se ti të paktën, gjithësesi të lutem mos fol këtu!