Fjala e Varhelyi në parlament/ Kërpaçi: Rinia shqiptare sot ka më pranë emigrimin drejt BE-së se integrimin në BE

Kryetarja e LRI dhe ish-deputetja e LSI, Floida Kërpaçi reagon në Facebook pas fjalës në parlament të Komisionerit për Zgjerim Oliver Varhelyi lidhur me raportin e Komisionit Europian mbi Shqipërinë.

Sipas Kërpaçit, Reforma e miratuar një ligj-bombë që rrezikon të ndajë përgjithmonë Shqipërinë me BE-në.

“Rinia shqiptare sot ka më pranë emigrimin drejt BE se integrimin në BE”, shprehet ndër të tjera kryetarja e LRI.

Reagimi i plotë:

"Sot rinia shqiptare ka më pranë emigrimin drejt BE jo integrimin në BE!

Sot në shtetin tonë nuk sundon ligji por antiligji.

4 vite pas reformës në drejtësi qytetarët nuk e gjejnë dot të drejtën. U nis një reformë zgjedhore për të fuqizuar zërin e qytetarit, për të realizuar zgjedhje të lira që më në fund rezultati të pranohej nga të gjithë; përfunduam në një ligj-bombë që rrezikon të na ndajë përgjithmonë nga BE.

Nuk është e vërtetë që Shqipëria është sot më pranë BE-së se kurrë. Ne jemi afër si vendndodhje, por nivelet spektakolare të talljes që qeveria ushtron mbi qytetarët kanë bërë që të jemi shumë larg standarteve dhe jetesës europiane. Ka ardhur koha që Shqipëria jo vetëm të bëjë reforma por edhe ti zbatojë ato.

E nesërmja nis sot për çdo të ri dhe të re të Shqipërisë. Nuk ka integrim pa dashuri për vendin, pa përgjegjshmëri për detyrën dhe pa përmirësim të shtëpisë tonë të përbashkët, sado të bukura mund të duken raportet".