Pse buzëqeshin shqiptarët? Shëndeti dhe ekonomia i lumturon, por synojnë Amerikën
Në ditën botërore të buzëqeshjes, shqiptarët pranojnë se lumturia e tyre lidhet me kushtet ekonomike dhe shëndetësore kryesisht, ndaj për një jetë më të mirë do të aplikojnë për Lotarinë Amerikane. Ndërkohë sociologët thonë se të rinjtë, e kryesisht adoleshentët, buzëqeshin më shumë.
Lumturia e qytetarëve lidhët ngushtësisht me disa komponentë, si ana financiare dhe ajo shëndetësore dhe marrëdhëniet ne familje.
Ata thonë se më së shumti lumturia e tyre lidhet me mirëqenien në familje, ndërsa pohojnë se kushtet ekonomike në Shqipëri i bëjnë shqiptarët të stresuar e për rrjedhojë me pak të lumtur.
"Po pate shendetin ke pasurinë më të madhe, ajo është kryesorja."
"Pikësëpari rrogat, ekonomia."
"Që të jesh njeri dhe të jetosh në një komunitet është mëse arsye për të qenë e lumtur."
"Në radhë të parë shëndeti dhe familja, pastaj gjendja ekonomike sigurisht është e rëndësishme."
"Goca dhe nusja ime, pastaj jeta që po bëjmë."
Për një jetë më të sigurt, kryesisht të rinjtë, shohin si zgjidhje largimin nga vendi.
Me nisjen e aplikimeve për Lotarinë Amerikane, shqiptarët si çdo vit janë të interesuar për të marrë pjesë.
"Nuk e kam vendosur ende të aplikoj apo jo por familjarët e mi kanë vendosur të aplikojnë."
"Sigurisht një mundësi për të ikur jashtë, Shqipëria nuk është gjë sot për sot."
"Çdo vit kemi aplikuar."
Të buzëqeshësh është një gjuhë trupi që kryesisht shihet te të rinjtë e më shumë te adoleshentët.
Sociologët thonë se më pak të buzëqeshur janë moshat mbi 50 vjeç.
"Është një element i gjuhës së trupit që ne shqiptarët e përdorim shumë pak, ju të rinjtë e përdorni shumë. Kurse ne vijmë nga një shoqëri tradicionale që kemi çmuar shumë seriozitetin dhe kjo na ka bërë të kemi qenë hijerëndë."
Pandemia gjithashtu ka ndikuar edhe në lumturinë e shqiptarëve, që ndër të tjera ka bërë që arsye kryesore për të buzëqeshur është shëndeti i mirë.
"Fakti që akoma jetojmë në gjendje gjysmëizolimi social, në distancim fizik dhe social, kjo i ka prerë pak urat për të qenë i lumtur."
Në raportin e fundit të OKB për lumturinë, Shqipëria ka bërë një përmirësim në krahasim me një vit më parë, duke u ngjitur në vendin e 105 nga 107 që ishte.
Por në Evropë, vendi ynë vijon të paraqitet në nivele të ulëta lumturie, duke u radhitur në vendin e parafundit që lë pas vetëm Ukrainën.