Edhe në burgun 313 shpërthen greva e urisë: Ushqimi skandaloz, jetojmë me çimka
Revota e të dënuarve me grevë urie ka prekur thuajse të gjitha burgjet e vendit, me kërkesën për lehtësiminin e masave anti-covid dhe amnisti të përgjithshme. Greva nisi nga Burgu i Peqinit, ku këtë të mërkurë protestuan edhe familjarë të të dënuarve.
Pas burgjeve ne rrethe, greva e urisë së të dënuarve ka nisur edhe në Tiranë.
Këtë të mërkurë, protestës në institucionet e vuajtjes së dënimit iu bashkuan të burgosurit në burgun 313.
Ata kërkojnë lejimin e takimeve me familjarët dhe heqjen e kufizimeve të tjera në fuqi për shkak të pandemisë së koronavirusit.
Kushtet dhe ushqimi që e konsiderojnë skandaloz janë të tjera arsye të protestës së të dënuarve në Tiranë, ndërsa denoncojnë se gardianët i kanë kërcënuar me izolim e transferim nësë shfaqin pretendime.
Ndërsa të burgosurit në Reç e Peqin, kanë kërkuar edhe amnisti të përgjithshme dhe konvertimin në 20 vite burg të dënimeve të përjetshme.
Greva nisi nga burgu i Peqinit, ku këtë të mërkurë protestuan edhe familjarë të të dënuarve.
Ata u ankuan se prej 7 muajsh nuk po kontaktojnë dot familjarët që janë pas hekurave.
Pavarësisht se grevat e të dënuarve vijojnë prej disa ditësh në 5 burgje të vendit, Ministria e Drejtësisë dhe Drejtoria e Burgjeve nuk kanë bërë asnjë reagim zyrtar për kërkesat.
Masa e vetme ishte shkarkimi i drejtorit të burgut të Peqinit për dështimin në menaxhimin e situatës së krijuar në institucionin e vuajtjes së dënimit.
