Rama sulmon kundërshtarin: Basha shalqi me provë, i pangrënshëm

Menjëherë pasi Partia Demokratike prezantoi projektin e saj ekonomik, kryeministri Rama ka dalë para gazetarëve për të folur mbi ekonominë dhe investimin në banesat e dëmtuara nga tërmeti i 26 nëntorit.

Së bashku me Ministrin për Rindërtimin, Arben Ahmetaj, dhe atë të Financës Anila Denaj janë paraqitur të dhënat për shkollat dhe banesat ku po punohet.

Edi Rama: Janë 70 projekte të rindërtimit që janë në zbatim apo në prag të zbatimit në bashkinë e Tiranës me një vlerë të përgjithshme 80 milion euro.

Kryeministri bëri me dije gjithashtu se nuk ka hequr dorë nga aministia fiskale dhe as nga legalizimi i kanabisit ndërsa mohoi kategorikisht që qeveria i ka rihapur kazinotë.

Edi Rama: Kjo është komplet gënjështër, nuk ka asnjë rihapje të bixhozit në Shqipëri.

Heqja e tatim-fitimit dhe e TVSH për bizneset me xhiro deri në 10 milionë lekë, për Ramën nuk është veprim në prag të zgjedhjeve.

Edi Rama: Ulja e tanishme që nuk është një premtim, nuk është një "do të", është një fakt i kryer. Premtimin e kemi dhënë më parë dhe e kemi dhënë në mos gabohem përpara.

I pyetur nga gazetarët. Rama nuk ka komentuar planin me 5 pika të PD, por ka zgjedhur një tjetër formë reagimi.

Edi Rama: Atë që quani kandidatin për kryeministër është shalqi me provë, i pangrëmshëm. Sepse nuk është i ardhur nga hëna por ka qenë në provë disa herë.Platformat alternative janë thjesht shprehje të mungesës së seriozitetit. Larg qoftë  të kishte ndodhur që flama e kovidit ta kishte gjetur këtë vend me atë kandidatin dhe klubin e asaj të ashtuquajturën e opozitës së bashkuar. Të gjente spitalet që e gjetëm ne, shërbimet shëndetësore, kapacitetet profesionale kur na besuan shqiptarët. Kjo nuk është një betejë mes nesh dhe atyre apo mes meje dhe shalqinit me provë që është në krye të opozitës, është betejë e jona me vetveten dhe kohën. Koha nuk pret se shqiptarët kanë pritur shumë.

Ai nuk kurseu komentet as Presidentin dhe Kryetaren e LSI-së.

Edi Rama: Saliu, Luli, Iliri, Monika janë shalqinj të provuar disa herë dhe në asnjë nga provat nuk kanë dalë të pjekur.

Pas miratimit të datës 25 prill për zhvilimin e votimeve, partitë kanë nisur me prezantimin e strategjive, por Rama shprehet se do të jetë në krye të qeverisë edhe për 5 vite.

https://youtu.be/TB1kFsYOVxQ