Investigimi i "Boom", Lleshaj në sulm për adresat
Ministri i brendshëm Sandër Lleshaj është hedhur në sulm ndaj qytetarëve dhe ndaj medias pas denoncimeve në lidhje me ndryshime të adresave dhe vendbanimit të qytetarëve para zgjedhjeve të 25 prillit.
Duke pranuar pasaktësitë dhe problemet, Lleshaj duket se e shfrytëzoi daljen për ti dhënë përgjigje lajmeve të përhapura javët e fundit duke thënë se është ende në detyrë.
Por këto deklarata të dhëna nga vetë familjarët, për ministrin e brendshëm nuk janë të vërteta por janë lajme të qëllimshme.
"Nga disa media, të cilat nuk mbajnë ndonjë marrëdhënie më të vërtetën, këto ditë kanë filluar tentativat për të ngjizur një rrenë të re. Sipas tyre, paska filluar një proces i ndryshimit arbitrar të qendrave të votimit për votues të së djathtës. Autorët e këtyre mashtrimeve të reja publike kanë përdorur si gjithmonë kartën e tyre të vjetër teknologjike: paketimin pa asnjë lidhje të një rrene me një të vërtetë. Kush është rrena?
Është gënjeshtër e plotë lajmi se janë ndërruar arbitrarisht qendrat e votimit të qytetarëve. Për këtë arsye bëhet logjikisht i pamundur komenti mbi pretendimin se kjo gjë po u ndodh votuesve të djathtë. Nuk ka asnjë lloj ndryshimi të qendrave të votimit për qytetarët", u shpreh Lleshaj.
Por nga ana tjetër vetë Sandër Lleshaj pranon se ka edhe ngatërresa dhe problem me ndryshimin e njësive të banimit.
"Në zbatim të Ligjit për Sistemin e Adresave, në vitin 2018 ka përfunduar edhe censusi përkatës në terren për këtë qëllim. Ka ndodhur që gjatë këtij censusi qytetarë të caktuar janë regjistruar në një adresë të ndryshme nga ajo që mund të kenë sot, kryesisht tek shtëpia e vjetër apo shtëpia e dytë e tyre. Kjo sjell si pasojë që, kur ata hyjnë për të parë të dhënat personale në Regjistrin e Gjendjes Civile, të mund të konstatojnë ndonjë mospërputhje, e cila është lehtësisht e rregullueshme për cilindo", u justifikua minsitri.
Në fakt ndryshimi i njësisë së banimit automatikisht ndryshon dhe qëndrën e votimit. Por mesa duket ministri para se të pranojë gabimet në këtë proces, sulmon median që vë në dukje problematikat duke u dhënë zë qytetarëve.
"Sa i përket lajmeve të rreme, me duhet të them se organet përgjegjëse do të thellohen në verifikimet dhe hetimet përkatëse, me qëllim që të parandalohen apo goditen ligjërisht të gjitha përpjekjet e paligjshme për të krijuar konfuzion, për të intimiduar apo për të ndikuar në procesin e përgatitjes së zgjedhjeve të lira dhe të ndershme në Shqipëri", vijoi Sandër Lleshaj.
Me sa duket qëllimi i daljes para medias nuk ishte situata me gjendjen civile dhe ankesat e qytetarëve me zë e figurë, por shfrytëzimi i rastit për të thënë se Lleshaj është ende në detyrë në kushtet kur pas një serie ngjarjesh të rënda javët e fundit në mediat online u përfol një dorëheqje e tij duke u nisur edhe nga deklaratat e bëra nga vetë ai në Vlorë.
Emisioni investigativ në RTV Ora, "Boom", publikoi dje me zë dhe me figurë se si qytetarë, që pretendonin se kishin bindje të djathta, ishin zhvendosur në gjendet civile. Por edhe "pse i kapur me presh në duar", Lleshaj duket se nuk do të pranojë asnjë fakt. /A.R, OraNews
