I vdekur prej 6 vitesh, OFL i dërgon formular për të justifikuar pasurinë
OFL sot i ka kërkuar një të vdekuri të justifikojë pasurinë.
Shtetasi në fjalë është Shkëlzen Dumani, një person i cili rezulton i vrarë që prej vitit 2014.
Ajo që bie në sy përveç faktit të mësipërm është pasuria që disponon i ndjeri. Sipas familjarëve të tij ai ka pasur në pronësi një apartament dhe një automjet.
Në apartament pas vdekjes të së ëmës Mentije Dumanit, nuk jeton askush. Për këtë arsye, ata e kanë kthyer mbrapsht formularin e dërguar nga Operacioni Forca e Ligjit.
Shkëlzen Dumani, u vra krah grupeve xhihadiste në vitin 2014 në moshën 39-vjeçare. Sipas riteve fetare në Siri ushtarët e vdekur për luftën e shenjtë bien shahit dhe varrosen në tokën ku kanë luftuar. Ai la pas dy fëmijë, Evën dhe Endrin.
Në njoftimin e OFL thuhet se Shkëlzen Dumani është banues në Tiranë, për të cilin Gjykata e Shkallës së Parë për Krimet e Rënda ka caktuar masën e sigurimit “Arrest në burg”, pasi dyshohet se ka kryer veprat penale “Rekrutimi i personave me qëllim kryerjen e veprave terroriste”, “Nxitja, thirrja publike dhe propaganda për kryerjen e veprave me qëllime terroriste” dhe “Nxitja e urrejtjes ose e grindjeve”.
Më herët, daja i dy fëmijëve të Dumanit bëri apel në Ora News, që shteti të kthejë nipin dhe mbesën e tij nga kampi ku ndodhen në Siri.