Hoti: Përmes marrëveshjes ekonomike, deri te njohja reciproke

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, para takimit në Shtëpinë e Bardhë të enjten, ka deklaruar se asnjë diskutim tjetër nuk bëhet me Serbinë, përveç se për njohje reciproke.

“Unë besoj që marrëveshja e sotme që mund të arrihet për bashkëpunim ekonomik, është një hap më afër normalizimit përfundimtar mes dy vendeve që është vetëm njohja reciproke", ka deklaruar Hoti.

"Sot fillojmë me shumë pozitivitet takimin në Shtëpinë e Bardhë bashkë me delegacionin për të diskutuar projektet e zhvillimit ekonomik në mes të dy vendeve. Pritjet i kemi jashtëzakonisht pozitive me komunikimet që kemi pasur deri më tash. Unë ju falënderoj për interesimin, do të keni informata sapo ta kryejmë raundin e parë të takimeve", ka shtuar ai.

Në Shtëpinë e Bardhë sot do të takohen kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Nikoqirë të takimit do të jenë këshilltari amerikan për Siguri Kombëtare i Shtëpisë së Bardhë, Robert O’Brien, si dhe i dërguari i posaçëm i presidentit amerikan për bisedimet Kosovë-Serbi, Richard Grenell.

Para fillimit të bisedimeve të enjten, Grenell ka thënë se populli i Kosovës dhe ai i Serbisë meritojnë normalizimin ekonomik dhe mundësinë për të krijuar një ekonomi gjallëruese.

"Sot jam i përqendruar te të rinjtë që duan një karrierë, një punë të mirë dhe një lidhje me Perëndimin", ka thënë Grenell përmes një postimi në rrjetin social Twitter./ Marre nga REL