Vijojnë radhët kilometrike në Kakavijë, deri në orën 20:00 kaluan vetëm 1700 persona
Rreth orës 15:00 lëvizja e makinave ka nisur në pikën doganore të Kakavijës.
Qytetarët që ndodhen atje me orë të tëra tregojnë se lëvizja e makinave është e ngadaltë, por të paktën ka nisur.
Mësohet se deri në orën 20:00, kanë mundur të kalojnë rreth 1700 persona.
Autoritetet shqiptare i kanë kërkuar atyre grekeve të vijojnë punën edhe gjatë orëve të natës.
Ndërkohë policia përmes një njoftimi prë shtyp ne mesdite deklaroi se kishte ndërhyrë tek pala greke për përshpejtimin e punës
“Për situatën e krijuar pas ndërhyrjeve të njëpasnjëshme të Drejtorit të Departamentit për Kufirin dhe Migracionin tek homologët e policisë greke, këta të fundit kanë ndikuar në autoritetet shëndetësore greke dhe tashmë ka filluar të rritet lëvizja në drejtim të shtetit grek, pasi është shtuar personeli shëndetësor që kryen testet për COVID-19 “ informoi policia.
Prej ditësh emigrantët shqiptarë që po kërkojnë të kthehen në Greqi po përballen në një situatë dramatike në prag të një katastrofe humanitare.
Për shkak të kufizimit të numrit të personave që lejohet të kalojnë kufirin dhe prej testit covid 19, sot radha e pritjes shkoi në rreth 20 kilometra.