Lirinë apo bukën?

Shoqëritë në zhvillim një nga treguesit esencialë të tyre kanë edhe bjerrjen e lirive themelore të njeriut.

Shqipëria është mbase shembulli tipik sesi varësia nga ekonomia që rrënohet gjithnjë e më tepër i ka rënë në qafë tej çdo imagjinate lirisë madje deri aty sa kjo e fundit ka filluar të mos mendohet më.

Një popull i mbajtur izoluar në diktaturën komuniste dhe i detyruar të mos mendonte, për 50 vjet krijoi dy breza, mjaftushëm që të shëndërroheshim nga qënie njerëzore në gjallesa në luftë për mbijetesë.

"Mos u merr me qeverinë se nuk ja del dot..." Një fjali që për ata që vlerësojnë lirinë është terroriste por për ata (qe janë shumicë) që konsiderojnë bukën arsye dite dhe jete, është mënyrë jetese.

Prandaj edhe elitat politike shpesh kalojnë në autokraci e ndonjëra kalon çdo limit, si qeveria aktuale. Sepse nën tezën "lere të varfër se ashtu do e sundosh..." kanë arritur të krijojnë një ndjesi se liria është luks që popujve si ne nuk na takon dhe se qeveria i di të gjitha.

Kur gjyshi im doli nga burgu i komunizmit, sigurisht ishte i varfër por në burg hyri i mençur e doli gjeni. E aty, duke menduar se të varfrin e kontrollonin lehtë, komunistët shpesh i thoshin: "ke vetëm një mënyrë të bësh prokopi. Hesht. E dimë që nuk bëhesh me ne, por të paktën hesht..."

A heshti ? Jo. Deshi zoti jo. Deri kur u shua, që fatkeqësisht u shua ai para komunizmit, nuk e negocioi lirinë, edhe me koston e prangave të ftohta dhe dhomave të akullta të burgut.

Por mendësia e tij nuk ishte e shumicës çka tregon se varfëria është mjeti i sundimit të diktaturës dje dhe neodiktaturës sot.

Sigurisht që nuk duhet të mendojmë se sot të burgosin ama t'i mbyllin të gjitha dyert ekonomike deri në qelizën më të thellë.

Sundohemi, sepse për shumicën buka është përpara lirisë.