Kryemadhi: Rama rrezikon integrimin europian
Kryetarja LSI-se, Monika Kryemadhi akuzon kryeministrin Edi Rama se me manovrat e tij po pengojnë aspiratën e rinisë për të qenë pjesë e familjes së madhe evropiane.
Në një takim me të rinjtë Kryemadhi nënvizoi: "veprimet e fundit të Edi Ramës për të prishur marrëveshjen e 5 qershorit të dakordësuar me SHBA dhe BE, rrezikojnë integrimin evropian të Shqipërisë dhe dëmtojnë në radhë të ardhmen e rinisë."
Per Kryemadhin Edi Rama "i frikësuar për të ardhmen e tij po shkatërron të ardhmen e çdo të riu." dhe se LSI ka një program të qartë për nxjerrjen e vendit nga kjo krizë jo vetëm ekonomike, por edhe sociale.
"Urrejtja e tij ndaj rinisë dhe të ardhmes së saj është në sytë e të gjithëve. Çdo i ri sot ka qenë pjesë e eksperimenteve të Rilindjes në arsim.
Çdo i ri sot, është në pamundësi për të konkurruar dhe për të siguruar me aftësitë e tij një punë të mirëpaguar.
Çdo i ri sot, nis jetën e tij si forcë aktive në punë me një borxh mbi shpatullat e tyre prej rreth 13 mijë eurosh nga keqqeverisja dhe korrupsioni rilindas.
E ardhmja e çdo të riu është lënë peng tek PPP, që po vrasin zhvillimin ekonomik të vendit. LSI është në këtë betejë, jo për një rrotacion qeverisës, por për të bërë të mundur ndryshimin e madh ekonomik, social dhe arsimor."