Reagon “Petrolifera”: Manovra e gabuar e anijes shkaktoi rrjedhje të naftës në det

Kompania “Petrolifera” ka reaguar në lidhje me ndotjen me naftë të plazhit të Zvërnecit.Në njoftim thuhet se aksidenti ka ndodhur nga një manovër e gabuar në anijen që po furnizohej me naftë, çka ka shkaktuar presion dhe si pasojë rrjedhje të naftës në det. “Petrolifera” thekson se produkti i derdhur nuk përbën rrezik për fundin e detit dhe është lehtësisht i pastrueshëm. Ndërkohë përfaqësues të Partisë Demokratike e kanë cilësuar ndotjen në këtë plazh në nivele dramatike.Kompania “Petrolifera” ka sqaruar arsyet e aksidentit që shkaktoi ndotjen e rreth 5 km vijë bregdetare në Zvërnec të Vlorës.Sipas reagimit të “Petroliferas”,  gjithçka ka ndodhur për shkak të një manovre të gabuar të një anije që po furnizohej me naftë në atë moment në port, çka ka shkaktuar  një çarje me pasojë rrjedhje të naftës në det.Ndërkohë që moti me erë mendohet të ketë ndikuar në një përhapje më të madhe të naftës.“Petrolifera” thekson se tashmë kanë nisur operacionet për pastrimin e zones, ndërsa e vlerëson produktin jo të rrezikshëm për fundin e detit dhe lehtësisht të pastrueshëm.Për të parë nga afër gjendjen në Zvërnec ka qenë prezent edhe kreu i Departamentit të Mjedisit në PD, Jamarbër Malltezi, i cili u shpreh se situata është dramatike. Malltezi: “Në një shtet normal, kjo ndotje do të kishte kërkuar që autoritetet të shpallnin gjendjen e jashtëzakonshme, gjendjen e emergjencës civile dhe të merrnin masa për pastrimin duke shpallur planin e ndërhyrjeve. Për fat të keq nuk dihet asgjë. Institucionet shtetërore po flejnë gjumë dhe nuk dihet të thuhet as çfarë ishte burimi i ndotjes, as sasia, as tipi, as rrezja e ndikimit. Dëmtuesit duhet të ishin përgjigjur para ligjit. Ne kemi me dhjetra agjensi shtetërore që paguhen. Por pse i paguajmë ato kur atëhere kur duhen ato nuk përgjigjen për asgjë?! Çfarë e ndalon prefektin e Vlorës të shpallë gjendjen e jashtëzakonshme dhe gjendjen e emergjencës civile sipas ligjit 8905?! A kemi institucione?! A kemi Agjensi Bregdeti?! A kemi roje bregdetare?! A kemi agjensi të zonave të mbrojtura?! Ky është një dëm që i bëhet mjedisit në një zonë të mbrojtur, në prag të sezonit. Kjo është antireklama më e madhe që i bëhet turizmit. Ku janë deputetët e Vlorës sepse kjo është thikë pas shpine që i bëhet turizmit të Vlorës”. Ndotja e bregdetit me hidrokarbure është hera e dytw që ndodh brenda një viti në Shqipëri, pasi vetëm pak muaj më parë një ndotje të tillë përjetoi edhe bregdeti i Durrësit.