Katastrofa mjedisore në Zvërnec, ndotet rreth 5 km vijë bregdetare
Katastrofë mjedisore në plazhin e Nartës e të Zvërnecit në Vlorë, në një kohë kur sezoni turistik sapo ka nisur.Një sasi e konsiderueshme nafte e papërpunuar bruto është derdhur dhe përhapur me shpejtësi në det duke ndotur pothuajse të gjithë vijën bregdetare.Në pak minuta ndotja u përhap në një gjatësi nga bregu prej më shumë se 1 km dhe gjatësi bregdetare prej 5 kilometrash, duke shkaktuar një katastrofë mjedisore detare dhe ndotje të plazheve në zonë.Sipas policisë së Vlorës, nafta është derdhur nga një anije me flamur maltez drejtuar nga shtetasi turk Ismail Kaptanoglu. Anija ka patur një defekt në impiantin e ngarkim shkarkimit gjatë furnizimit me karburant tek petrolifera.Anija me flamur maltez, e cila ka hyrë në ujërat tona territoriale prej 21 majit, është gjobitur me 1 milion leke te reja ndërsa i është pezulluar leja deri ne kthimin e gjendjes se detit ne normalitet. Ekupiazhi dhe kapiteni i anijes janë ndaluar nga policia, ndërsa prokuroria ka nisur hetimet për arsyet pse anija dhe petrolifera nuk raportuan incidentin.Ardian Musta, nënkryetari i Bashkisë Vlorë: Kemi marrë masa të menjëhershme që ndotja të eliminohet brenda ditës. Në kushtet që jemi ne nuk mund të presim sa të kalojmë procedurat ligjore. Ne do të ndërhyjmë ta kthejmë plazhin në gjendje normale deri nesër në drekë.Në një reagim në rrjetin social Facebook, ministrja e Mbrojtjes Mimi Kodheli e ka cilësuar katastrofë mjedisore ndotjen në Zvërnec ndërsa forcat detare janë angazhuar në një operacion pastrimi. Ministrja e Mbrojtjes kërkon që të vihen para drejtësisë përgjegjësit dhe të ketë zero tolerancë, ndaj atyre që dëmtojnë pasurinë e qytetarëve.Ministrja e Mbrojtjes Mimi Kodheli thotë se disa ton naftë e papërpunuar ka ndotur gati 5 km vijë bregdetare dhe shkak është rrjedhja nga një anije që furnizohej nga Petrolifera.“Forca Detare është në lundrim në ndihmë të operacionit për parandalimin e përhapjes së ndotjes dhe pastrimin e saj. Si ministre e Mbrojtjes dhe qytetare e Shqipërisë dhe që me dhimbset çdo cm2 tokë apo det i vendit tim; ZERO tolerancë për përgjegjësit”, shkruan Kodheli në FB.
