Adriana, jetimja që ia doli të bëhet nënë e mirë

Kjo është historia e Adriana Hysenaj, një grua 54 vjeçare që sot njihet si një nga elektriçistet dhe shkrimtaret më të zonja të qytetit të Ersekës.Ajo ka lindur në maternitetin e qytetit të Tiranës më 1shkurt të vitit 1962. Aty ka jetuar 6 muaj, para se të transferohej në shtëpinë e foshnjës në Pogradec.Aty Adriana ka qëndruar për 4 vjet, për t’u shpërngulur pastaj në qytetin e Vlorës, nga ku nisin edhe kujtimet e para për vajzën e vogël të mbetur jetime.Janë këtu kujtimet më të ngrohta të fëmijërisë së saj, përpara se të përballej me botën e egër dhe të pamëshirshme jashtë mureve të shtëpisë së fëmijës.“Në Vlorë kam qëndruar deri në moshën 7 vjeçare,” –thotë Adriana – “aty kam ndjerë për herë të parë një atmosferë përkujdesjeje dhe dashurie të cilën do e kërkoja për shumë vite të tjera më vonë.”Një ligj i ri i zhvendosi fëmijët mbi moshën 6 vjeç në qytetin e Sarandës, nga ku ata do të vazhdonin arsimin 8 vjeçar. Për Adrianën, ky ishte fillimi i një historie të trishtuar.“Mbaj mend kur autobusi ndaloi përpara shtëpisë ku do qëndronim në Sarandë. Unë zbrita me nxitim për të parë vendin ku do të qëndronim. Kur pashë fytyrat e vrara dhe të ashpra të kujdestarëve, u ktheva me vrap tek fëmijët e tjerë dhe bërtita: Hajde kthehemi kalamaja, këtu nuk na duan!Akoma habitem se si zemra e ndiente fatin që na priste.”Pas fillimit të shkollës ajo tregon se tashmë të gjithë konsideroheshin si fëmijë të rritur dhe rregullat strikte i privonin nga një fëmijëri e lumtur. Zgjimi bëhej çdo ditë në orën 05:00 dhe vrapi ishte i detyrueshëm për të gjithë. Shpesh detyroheshin të shkonin në shkollë pa mëngjes, duke mos pasur kohë të qëndronin në mensë.Kujdestaret e shtëpisë silleshin ashpër. Të gjithë dashurinë e mohuar që ajo e priste nga njerëzit, mund ta kompensonte duke lexuar libra dhe kjo e ka ndihmuar shumë.Adriana thotë se ka qenë një vajzë e mbyllur, që druhej t’u tregonte të tjerëve problemet dhe vështirësitë, një moment të cilin ajo e ka të vështirë ta harrojë.“Ne merrnim çdo muaj 50 lekë nga shteti, të cilat mund t’i shpenzonim si të dëshironim. Njëherë, një vajzë më e rritur se unë, më mori me forcë paratë që më dhanë për muajin. Kështu, në muajin pasardhës, sapo mora 50 lekëshin, shkova në dyqan dhe i bleva karamele dhe ëmbëlsira. Kur ajo erdhi dhe pa se unë i kisha shpenzuar, tërhoqi disa hithra aty afër dhe më gjuajti në duar. Pastaj pashë se ishte e kotë të kërkoja ndihmë kur zëri im s’dëgjohej, dhe që nga ky moment nuk i kërkova më asgjë askujt.”Adriana tregon se në mësime ka qenë një nxënëse shumë e mirë dhe kjo i siguroi një bursë në shkollën e mesme profesionale në Tiranë si elektriçiste. Gjatë kësaj periudhe ajo ishte nën kujdesin e shtetit. Çdo muaj i paguheshin 1500 lekë për nevoja personale dhe çdo vit 4500 lekë për të blerë rroba. Në moshën 18 vjeçare shteti i konsideron të përmbushura të gjitha detyrimet e veta dhe kjo ka qenë periudha më e vështirë për Adrianën.Ajo rrëfen orët e gjata kur qëndronte para dyerve të institucioneve me shpresën se do t’i ofronin një vend pune, por zhgënjime të njëpasnjëshme erdhën për 5 muaj rresht.“Shkoja çdo ditë, që herët, në Kryeministri, në Gjykatën e Rrethit dhe në institucione të tjera. Kam qarë qindra herë nëpër rrugët e Tiranës, por gjithmonë mundohesha të bindja veten se ndoshta e nesërmja do të më sillte diçka të mirë.”Gjatë kësaj periudhe atë e lejuan të qëndronte në magazinën e një konvikti, ku myku dhe lagështia kishin mbuluar muret. Derisa një ditë, pasi u kthye e lodhur nga institucioni, ku kishte qëndruar gjithë ditën duke pritur radhën që nuk i erdhi kurrë, pa valixhen e saj të nxjerrë jashtë konviktit. Ushqyerja e çrregullt, temperatura prej të ftohtit dhe fakti që pa se e kishin lënë në rrugë, bënë që Adriana të humbiste ndjenjat para derës të konviktit.Kuzhinierja e mensës e ndihmoi duke e mbajtur në shtëpinë e saj për disa ditë, derisa i erdhi një mundësi për të krijuar familje. Shoqja e Adrianës, sot kunata e saj, i propozoi ta merrte nuse për vëllain në fshatin Kaduç të Ersekës.Pasi u martua, ajo punoi për 9 vjet në kooperativën e fshatit dhe gjatë kësaj kohe lindi dy djem. Për herë të parë Adriana përjetoi ndjenjat e të qenit pjesë e një familjeje në të cilën gjeti përkrahje dhe dashuri.“M’u desh të punoja shumë për të arritur këtu ku jam, kam mësuar të menaxhoj kohën, punën, përkushtimin ndaj familjes, leximin e librave. Nuk le asnjë moment të më kalojë pa bërë diçka të dobishme. Nuk u ankova kurrë për vështirësitë që pata kur erdha të jetoja dhe të punoja në fshat. Nga përvoja kisha mësuar të përvetësoja punët pa pyetur, vetëm duke parë. Dhe pas shumë kohësh ia dola të hyj në punë në profesionin tim.”Jeta e saj ishte e qetë deri në momentin kur një fatkeqësi ndodhi në familje. Ajo humbi djalin e madh.Adriana gjeti gjithmonë forcën të ecte përpara nëpërmjet librave të saj. Në vitin 1998 ajo botoi librin e saj të parë me titull “Bota u bë gabim”, në të cilin përfshiheshin poezi kushtuar nënës që nuk pati, djalit që humbi, botës që s’kuptoi. Pas tij publikoi 3 libra të tjerë me fabula.Adriana nuk do të flasë për nënën e saj, të cilën e ka kërkuar gjithë jetën dhe e gjeti pak vite më parë. Ajo preferon të flasë për gjërat e bukura që i ka servirur jeta.“Jam mësuar që pas çdo rrëzimi të ngrihem më e fortë, të buzëqesh më shumë se më parë dhe të gëzoj për gjërat që kam arritur. Dhimbjen time nuk e përcolla kurrë tek të tjerët, mbolla vetëm lumturi në familjen time dhe ia dola të kem një familje të rregullt, ashtu si gjithmonë kam ëndërruar.Sot, pas kaq shumë vitesh, kur vij në Tiranë për të takuar djalin që vazhdon studimet si inxhinier, e hidhura më përplaset në fytyrë sa herë shikoj rrugë të cilat i kam mbuluar me lot, fshehurazi nga të tjerët, për të mos ndjerë vështrimet mëshiruese të njerëzve.”Për Adrianën lumturia qëndron në çastin kur ngrihet, qëndron tek kopshti me fruta dhe perime para shtëpisë së saj, tek biblioteka ku ruan librat më të dashur, tek shëtitjet me biçikletë dhe tek dashuria që i fal fëmijëve.1-50 2-44 3-46 4-39 7-27 /dritare.net