Ymeri ia thotë në sy komisionerit Hahn: I pakënaqur me kushtëzimin për vizat

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri, thotë se i ka shprehur pakënaqësinë e tij komisionerit të BE-së Johannes Hahn lidhur me kushtëzimin që po i bëhet Kosovës gjatë procesit të liberalizimit të vizave për Kosovën, me marrëveshjen për demarkimin e kufirit me Malin e Zi.Ymeri priti të martën në një takim Hahn në kuadër të vizitës së tij në Kosovë.Ymeri, në Facebook shkruan se Hahnit i ka thënë se kjo gjë mund mund të paraqesë një precedent të rrezikshëm për të ardhmen.“Në takim me z. Johannes Hahn shpreha mospajtimin tim me kushtëzimin që po i bëhet liberalizimit të vizave për qytetarët e Republikës së Kosovës me marrëveshjen për demarkacion të kufirit me Malin e Zi, duke e kundërshtuar këtë marrëveshje për shkak të cenimit të territorit të Kosovës, si dhe për shkak të presedanit të rrezikshëm që ajo do të paraqes në të ardhmen”, shkruan Ymeri.Ymeri dhe Hahn kanë diskutuar edhe për dialogun me Serbinë që po ndodh në Bruksel dhe për marrëveshjet e arritura atje, e të cilat, sipas tij, po e pamundësojnë sovranizimin e Republikës së Kosovës dhe po e vendosin Kosovën në pozitë inferiore politike e ekonomike karshi Serbisë.“Normalizim të marrëdhënieve mes Republikës së Kosovës dhe Serbisë mund të ketë vetëm pasi Serbia ta njoh Republikën e Kosovës, ndërkohë që integrimi i serbëve të Kosovës bëhet vetëm përmes dialogut të hapur demokratik për zhvillim ekonomik e social. Qeveria e Serbisë, dhe ndërhyrja e saj në territorin e Kosovës, e pengon integrimin, dhe synon ta dobësojë Republikën e Kosovës për ta kontrolluar atë politikisht e eksploatuar ekonomikisht”, shkruan kryetari i Vetëvendosjes.Sipas Ymerit, parimet bazë që e kanë mundësuar Bashkimin Evropian dhe paqen e qëndrueshme në të, janë barazia mes popujve dhe njohja e respektimi i ndërsjellë i sovranitetit të shteteve.“Të njëjtat duhen zbatuar me përpikmëri edhe në këtë pjesë të Evropës”, shkruan ai në fund. /KosovaPress/