Martesat ‘gay’, KMSH kundër: Cenon familjen!

Pas Kishës Katolike edhe Komuniteti Mysliman i Shqipërisë shpreh kundërshtinë për ndryshimet kushtetuese që prekin Kodin e Familjes. Ndryshimet synojnë lejimin e martesave midis dy personave të gjinisë së njëjtë, por për KMSh-në kjo prek thelbin e familjes. “Ky shqetësim dhe thirrje e jona si Komunitet Mysliman, si besimtarë dhe si qytetarë të këtij vendi synon vetëm se ruajtjen dhe mbrojtjen e vlerave tona besimore, tradicionale e kombëtare. Shoqëria jonë nuk është një shoqëri diskriminuese, por kur bëhet fjalë për të ardhmen e brezave, për familjen dhe për natyrshmërinë e njeriut, nuk mund të heshtim e të tregohemi indiferentë ndaj diçkaje që shkon kundër thelbit të jetës sonë, kundër kënaqësisë së Zotit”, thuhet në reagim.Sipas KMSH-së, familja është e shenjtë, prej së cilës varet vazhdimësia e jetës mbi tokë.“Familje ose fole familjare është vetëm ajo e ngritur nga martesa e një burri dhe një gruaje dhe kjo përbën një prej shtyllave më të rëndësishme të shoqërisë. Fortësia dhe qëndrueshmëria e saj është edhe fortësia dhe qëndrueshmëria e kombit dhe e shtetit. Prandaj, martesat e të njëjtës gjini nuk i shohim si pjesë të traditës sonë të përbashkët dhe të të gjithë elementëve që përbëjnë këtë komb”, thuhet më tej./Ora News/