Diamandi rozë 15.38 karat del në shitje nga Sotheby's
"Unique Pink" diamandi unik në ngjyrë rozë plot 15.38 karat është prezantuar për mediat në Gjenevë, një javë përpara se të dalë në ankand për tu shitur, nga shtëpia e ankandeve Sotheby's.Sipas drejtorit ndërkombëtar të divizionit të diamandeve, David Bennett, ky gur është diamandi më i madh dhe me formën më të rrallë ngjyrë rozë që ka dalë ndonjëherë në shitje dhe sipas tij ai mund të shitet 28-38 milionë dollarë.Ky diamand është i kategorisë 2A, që do të thotë se në mbarë botën vetëm 2% e diamandeve të gjetura janë të kësaj pastërtie, duke e bërë këtë gur vërtet të rrallë dhe unik.Në muajin nëntor, diamandi më i madh rozë që u shit nga shtëpia e ankadeve Christie's arriti vlerën rekord të 28.55 milionë dollarë dhe ishte 16.08 karat.Gjithashtu në nëntor të vitit të shkuar, një diamand i madh ngjyrë blu, një nga më të rrallët në botë e që u vlerësua përpara ankandit për tu shitur nga 35-55 milionë dollarë, në fakt u shit për 48 milion nga shtëpia e ankandeve Sotheby's.Ankandi për diamandin unik pink do të mbahet në Gjenevë më 17 maj.
/Oranews.tv/