Rama paralajmëron transformim të gjimnazeve, reciton dhe një poezi
Gjimnazi "Qemal Stafa" festoi 90-vjetorin e tij në një ceremoni të veçantë në Teatrin e Operas dhe Baletit, ku kryeministri Rama e listoi atë si një ndër shkollat më të mira në vend. Për Ramën, reforma në arsim ka transformuar sot shkollat në vend, duke nisur nga “Qemal Stafa”, mjediset e të cilit sot sipas tij janë të denja dhe me standardet e duhura.Përkthyesi Edmond Tupja është një prej personaliteteve që kanë dalë nga bankat e shkollës "Qemal Stafa" dhe në 90-vjetorin e këtij gjimnazi ai tregon emocionet që ka përjetuar në bankat e tij. Tupja: Unë aty kam qene nxënës në vit të dytë gjimnaz kur kam rënë në dashuri për herë të parë. Gjithçka ka evoluar, si përmbajtja e shkollës ashtu edhe forma e shkollës.Seat Tafaj një ndër drejtuesit e gjimnazit “Qemal Stafa” në vitet 1966-1978, jep këtë këshillë për brezat e rinj. Tafaj: Të bëjnë përpjekje të përvetësojnë sa më shumë në proçesin mësimor dhe edukativ.Ceremoninë e veçantë për 90-vjetorin e "Qemal Stafës" kryeministri Edi Rama e shfrytëzoi për të paralajmëruar se viti i ri shkollor do të sjellë transformim të madh në gjimnaze.Rama: Jam krenar që falë reformës shumë rrënjësore të teksteve, ky është viti kur në gjimnaze do të fillojë transformimi i madh i kalimit nga xhunglat e altertekstit tek tekstet e Pearson, Oxford dhe Cambridge. Në harkun e tre viteve, nxënësit dhe nxënëset e “Qemal Stafës”, ashtu si nxënësit dhe nxënëset e gjimnazeve të gjithë Shqipërisë do të marrin në të njëjtin burim si bashkëmoshatarët dhe bashkëmoshataret e tyre në Britaninë e Madhe dhe në shumë vende të tjera shumë më të përparuara të Europës, të gjithë bazën e dijeve që do t’i shërbejnë për të shkuar më tutje, pas përfundimit të gjimnazit.I pranishëm në këtë ceremoni ishte edhe ish-presidenti Alfred Moisiu, të cilin Kryeministri e vlerësoi për mënyrën se si drejtoi shtetin, por nuk ndau të njëjtin mendim për Presidentin aktual. Rama: Keni sot këtu midis jush një President të Republikës, një burrë të lartë dhe shumë të respektuar, i cili ka lënë një gjurmë të pashlyeshme për të gjithë ata që pas tij kanë ardhur apo do të vazhdojnë të vijnë në zyrën e Presidentit, nëse duan vërtet të jenë presidentë të të gjithëve dhe jo thjesht të jenë përfaqësues të një pale, - Presidentin Alfred Moisiu.Rama vlerësoi praninë në këtë ceremoni të Princit Leka Zogu.Rama: Llogariteni që këtu keni dhe një princ që s’ka studiuar në gjimnazin “Qemal Stafa”. Gjyshi i tij me Qemal Stafën ka pasur probleme të mëdha, por princi ka ardhur këtu për të kremtuar 90-vjetorin e gjimnazit “Qemal Stafa”.Fjalimin e gjatë Kryeministri e mbylli me këtë poezi:“Drita e artë i ka depertue dy zemrat e lodhuna. Ndoshta kujtimi i çastit të pangurtë kur të frikshëm dhe dyshues, bën për të parën herë premtimet e ambla. Ndoshta kujtimi i lodhjeve të shumta, i vërejtjeve të shpeshta që u kushtoi jeta. Nuk e di, ata qeshin, dritat e ndritshme të rrugës shkëlqejnë si shpresat djaloshare”Zhvillimi i arsimit të mesëm në kryeqytet dhe në të gjithë vendin nisi me hapjen e gjimnazit të parë shtetëror më 1925, kur Kryeministri i asaj kohe Ahmet Zogu me anë të një dekreti urdhëroi çeljen e Liceut të Tiranës i cili u rradhit ndër vite si shkollë elitare e arsimit kombëtar, duke luajtur një rol të rëndësishëm në progresin e tij.