Miratohet fondi i dëmshpërblimit për “BY-PASS”-n e Fierit

Qeveria ka miratuar një tjetër fond për shpronësimin e banorëve që preken nga ndërtimi i segmentit rrugor të “BY-PASS”-t të Fierit.Në mbledhjen e radhës së Këshillit të Ministrave, thuhet se pronarët e pasurive të paluajtshme do të shpronësohen me vlerën e plotë të çmimit. Qeveria ka vendosur një fond prej rreth 220 milionë lekë të vjetra.“Vlera e përgjithshme e shpronësimit, prej 22 953 116 (njëzet e dy milionë e nëntëqind e pesëdhjetë e tre mijë e njëqind e gjashtëmbëdhjetë) lekësh, të përballohet nga buxheti i vitit 2016, miratuar për Ministrinë e Transportit dhe Infrastrukturës, zëri “Shpronësime”, planifikuar për Autoritetin Rrugor Shqiptar. Shpenzimet procedurale, në vlerën 70 000 (shtatëdhjetë mijë) lekë, të përballohen nga Autoriteti Rrugor Shqiptar”, thuhet në pikën 4 dhe 5 të vendimit.Për të marrë dëmshpërblimin, pronarët duhet të kenë marrë shënimin të “Konfirmuar ZVRPP”, “Vërtetim hipotekor”, dhe “Certifikatë  pronësie”. Dokumentacionin e plotë duhet ta dorëzojnë pranë Autoritetit Rrugor Shqiptar.“Brenda 30 ditëve, nga data e miratimit të këtij vendimi, Zyra Qendrore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme dhe Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Fier, në bashkëpunim me Autoritetin Rrugor Shqiptar, të fillojnë procedurat për hedhjen e trupit të rrugës në hartat kadastrale, sipas planimetrisë së shpronësimit që do t’u vihet në dispozicion nga Autoriteti Rrugor Shqiptar dhe, me fillimin e procesit të likuidimit, të fillojë edhe procesi  i  kalimit të pronësisë, për pasuritë e shpronësuara, në favor të shtetit”, thuhet në pikën 9 të vendimit./Ora News/