Industria minerare, Gjiknuri: Rishikim i çmimit të referencës për eksportet
Qeveria do të rishikojë nivelin e referencës së mineraleve që janë për eksport, duke e parë si një mundësi për ti ardhur në ndihmë kësaj industrie e cila ka pësuar rënie të ndjeshme për shkak të uljes së çmimeve në tregjet ndërkombëtare.Ministri Gjiknuri deklaroi se tashmë është rënë dakort për disa lehtësira fiskale të cilat do të hyjnë në fuqi pas një muaji. Kjo nisëm vjen pas insistimit të grupeve të interesit që thanë se po shkonin drejt falimetimit për shkak të uljes së çmimeve në bursë.Industria minerare tashmë do të ketë një çmim më të ulët të referencës së eksportit.Ministri i Energjisë dhe Industrisë, Damian Gjiknuri, bëri me dije se tashmë është rënë dakort për këtë lehtësim të kësaj industrie që tashmë ndodhet në një ngërç për shkak të rënies së çmimeve në tregjet ndërkombëtare.Gjiknuri pranoi se rishikimi i rentës do të ketë impakt në buxhet.Gjiknuri: Ne kemi marrë tashmë një vendim duke ndryshuar çmimet e references për eksportet e kromit. Bëhet fjalë për një udhëzim të vitit 2012 sipas së cilës tatimi (për rentën) realizohej me çmimet e kësaj periudhe. Sot, nuk mund të flitet më me këtë bazë, pasi çmimet në tregjet ndërkombëtare kanë pësuar një rënie drastike. Përdorimi i këtyre çmimeve ishte një masë shumë arkaike pasi e dëmtonte shumë biznesin. Për këto masa është rënë dakord edhe me Ministrinë e Financave, së bashku me të cilën morëm vendimin për ndryshimet e çmimeve të referencës, për heqjen e referencës së vitit 2012. Natyrisht këto masa mund të kenë ndikim në Buxhet, por nuk duhet të harrojmë se për shkak të pritshmërive që ka shteti për rentën dhe industria është duke kaluar një situatë jo të favorshme. Besoj se kemi ardhur në momentin për ta riparë më me vëmendje që industria të nisë të prodhojë dhe të jetë rentabël.Ministri deklaroi ndër të tjera se tashmë janë gati dy vendime qeverie që kanë të bëjnë me pagesat e garancive për mjedisin dhe të investimeve.Gjiknuri: Jemi duke diskutuar me Ministrinë e Financave për të lehtësuar edhe disa elementë të tjerë që kanë të bëjnë me referencën për rentën, në mënyrë që të ulet çmimi i transportit nga çmimi bazë mbi të cilën llogaritet renta apo elementë të tjerë teknikë. Ndërkohë, janë gati dy vendime qeverie që kanë të bëjnë me pagesat e garancive për mjedisin dhe të investimeve, që më përpara bllokoheshin për një kohë të gjatë. Tani do të çlirohen në mënyrë që kompanitë t’i përdorin për kapital pune, për investimet e tyre. Unë besoj se janë disa masa që do të japin efekt.Industria minerare, sikundër u tha edhe në këtë konferencë është në pikën e saj më të ulët për shkak të rënies së çmimeve të mineraleve në bursë.Ne kemi hedhur hapin e parë dhe shumë shpejt besoj se do të flasim për finalizimin e këtyre masave, ndoshta brenda një muaji ato do të mund të miratohen.Këto deklarata Ministri Gjiknuri i bëri pas një forumi me sipërmarrës të huaj të industrisë minerare, të cilët i njohu me potencialet që ofron Shqipëria si një vend potencial për investime në fushën minerare, jo vetëm për kromin, por edhe bakrin dhe minerale të tjera.