Rudolph: Politika të miratojë reformën në drejtësi, ose negociatat shtyhen pa afat
Bashkimi Europian ashpërson paralajmërimin për Shqipërinë sa i përket miratimit të reformës në drejtësi.Nga Shkodra përfaqësuesi i delegacionit Europian në vendin tonë Jan Rudolph kërkoi që klasa politike ta miratojë përpara pushimeve të verës reformën, pasi në të kundërt axhenda e ngarkuar e Bashkimit Europian do ta shtyjë pa afat rekomandimin për çeljen e negociatave.Rudolph: Është tejet e rëndësishme dhe thelbësore, e domosdoshme madje që Shqipëria ta miratojë reformën në drejtësi në javët e ardhshme sepse çdo gjë është gati, çdo gjë është në tryezë. Duke miratuar këtë reformë do të bëhet e mundur që Komisioni Europian të japë edhe rekomandimin e vetë për çeljen e negociatave për Shqipërinë. Unë do të thosha se nëqoftëse nuk arrihet kjo gjë këtë vit, madje deri në verë, atëherë do të kemi një situatë mjaft të vështirë kjo për arsye se miratimi i reformës është një mundësi që ekziston tani, pasi vitin që vjen do të ketë zgjedhje në Francë dhe Gjermani. Bashkimi Europian ka një axhendë shumë të zënë, që do të thotë që kjo mundësi ekziston vetëm tani dhe mund të mos ekzistojë në një kohë shumë të afërt, prandaj është e rëndësishme. Prandaj është e rëndësishme që reforma në drejtësi të miratohet tani, pasi në rast të kundërt nuk do të humbasim një vit, por disa vite.Rudolph ishte i pranishëm në prezantimin e projektit të financuar nga BE dhe UNDP “Fuqizimi social dhe ekonomik për romët dhe egjyptianët”.Sëbashku me drejtuesit e bashkisë Shkoder ai vlerësoi këtë projekt që synon integrimin e plotë të këtyre shtresave në shoqeri, duke reduktuar në radhët e tyre varfërinë dhe pabarazinë.Projekti në total prej 4 milion eurosh ka një sërë kompetencash përfshirë: punësimin, zhvillimin lokal, përfshirjen sociale dhe aksesin në shërbime bazë.Për Shkodrën përfituese janë 92 familje rome me afërsisht 443 banorë dhe 2000 egjyptianë./Oranews.tv/