Amortizimi i madh i 33 km rruge rrezikon sezonin turistik veror në Velipojë
Segmenti rreth 33 km i gjatë i rrugës që të çon drejt bregdetit të Velipojës është tejet i amortizuar sa vë në pikëpyetje sigurinë e mjeteve që kalojnë në të. Si pasojë e mungesës së infrastrukturës, administratori i Velipojës, thotë që rrezikohet dhe sezoni turistik.Në prag të çeljes zyrtare të sezonit turistik, rruga që të çon për në plazhin e Velipojës nuk plotëson as standartet më minimale të sigurisë.Amortizimi i saj është i madh dhe sot ky segment rrugor prej 33 kilometrash përveç gropave të hapura ngado, nuk është i pajisur me sinjalistikë vertikale dhe horizontale.E si të mos mjaftonin të gjitha këto, edhe kafshët lëvizin paralel me automjetet.Mark Laloshi, administrator i Velipojës: Bashkia Shkodër nuk e ka në inventarin e saj, këto janë rrugë nacionale, rrugë që duhet të investohet nga shteti. Kuptohet ne mbajmë rrugët që janë pronë e Bashkisë, rrugë dytësore, tretësore etj.Edhe për pastrimin e bregut të detit, administratori i Velipojës Laloshi pranon se ka vështirësi.Mark Laloshi, administrator i Velipojës: Ka disa prurje të detit që janë periodike tani në pranverë dhe ne jemi duke punuar për ta pastruar. Janë qindra tonelata në plazhin e Velipojës për momentin, ne po punojmë me Bashkinë Shkodër por edhe me organizatat e biznesit pasi pastrimi i këtij plazhi nuk është llogaritur me firmën tenderuese nga ish-komuna Velipojë, thjesht pastrohen mbetjet urbane nëpër fshatra dhe zonën e plazhit, por jo në zonën ranore.Njësia administrative shpreson tek pushteti vendor dhe ai qëndror, por nëse nuk vihet dorë në kohë, atëherë sezoni turistik rrezikon të shënojë një tjetër vit problematik për Velipojën.