Sigal Prishtina kampione e basketbollit në Ballkan, “Plisat” ndezin Prishtinën
Klubi më i trofeshëm i basketbollit në Kosovë, Sigal Prishtina, ka rishkruar historinë.Mbrëmjen e së mërkurës, Sigal Prishtina u kurorëzua me titullin e kampiones në Ligën Ballkanike (BIBL), edhe pse është mundur në ndeshjen e dytë finale në Tivar nga Mornar-i, me rezultat 75-68. Por skuadra i gëzohet trofeut falë fitores në ndeshjen e parë prej 14-të pikëve epërsi.Ballafaqimi i dytë mes Mornar-it dhe Sigal Prishtinës është zhvilluar në praninë e rreth 1500 shikuesve, të cilët nuk kursyen fyerjet në adresë të ekspeditës prishtinase.Sfida e kthimit ka nisur me dominimin e nikoqirëve, të cilët çerekun e parë e mbyllen më tetë pikë epërsi (23-15).Por në çerekun e dytë, Sigal Prishtina mori lojën në duart e tyre, duke e shkrirë avantazhin e Mornar-it dhe në pushim ekipet shkuan më epërsinë e prishtinasve 35-39.Ndërkohë, në çerekun e tretë, skuadra malazeze u angazhua më shumë dhe ia doli që të mbyllë ketë pjesë 14 pikë avantazh (22-8).Megjithatë, Sigal Prishtina në dhjetëminutëshin e fundit sërish gjeti forcën dhe lojën e tyre, duke e ngushtuar epërsinë e nikoqirëve, të cilët në fund fituan ndeshjen me rezultat të përgjithshëm 75-68.Sigal Prishtina fiton për të dytën herë radhazi trofeun e Ligës Ballkanike, duke treguar fuqinë në basketbollin ballkanike.Mbrojtja e titullit të Ligës Ballkanike nga Sigal Prishtina, ka bërë që dhjetra qytetarë dhe grupi i tifozerisë ‘Plisat’ të dhurojnë spektakël në sheshin ‘Zahir Pajaziti’ në kryeqytet, ku ishte vendosur një projektor i madh për të ndjekur finalen e dytë.Ata kanë festuar me fishekzjarre deri në orët e vona të natës.
