Gara për Rektorë, Berisha: Mynyr Koni u tërhoq, e kërcënoi Shullazi
Ish-kryeministri, Sali Berisha, akuzoi kryeministrin Edi Rama se po kërcënon me bandat e tij kandidatin për Rektor, Mynyr Koni dhe Rektorin aktual Dhori Kule. Berisha i ka kërkuar Prokuroisë të nisë hetimet ndaj kërcimeve të bëra nga banditë të Qeverisë dhe kandidatit Koni i bëri thirrje të mos tërhiqet nga gara.
Ish-kryeministri, Sali Berisha, në një dalje të jashtëzakonshme për mediat akuzoi kryeministrin Edi Rama, se po përdor bandat kriminale për të përcaktuar Rektorin e Universitetit të Tiranës. Berisha tha se Emiljano Shullazi ka kërcënuar me jetë akademikun Mynyr Koni të tërhiqet nga gara dhe Rektorin aktual, Dhori Kule, që të mos e mbështesë. Ish-kryeministri Berisha thotë se nuk ka komunikuar me asnjërin nga akademikët, por jep garanci për burimin e informacionit.
Berisha: Kryebanditi Emiljano Shullazi i kërkon Profesor. Mynir Konit të tërhiqet nga gara ose do ti rrëmbehet djali dhe i thotë se po fole ke kokën. Dje Profesori i nderuar Mynir Koni ka paraqitur në mënyrë të papritur dorëheqjen. Banda e Emiljano Shullazit me tre makina të blinduara, sot në Shqipëri qarkullojnë me makina të blinduara vetëm Edvin Shullazi dhe Emil Shullazi.Kanë ndaluar në mes të sheshit “Nënë Tereza” me tre makina Rektorin aktual të Universitetit i cili e dorëzon detyrën, Profesorin e nderuar Dhori Kule dhe i kanë kërkuar në mënyrë kërcënuese ultimative që ti heqë çdo mbështetje Mynir Konit, nuk e di nëse i kanë kërkuar apo jo më shumë se kaq.
Ish-kryeministri Berisha thotë se Rama e ka kthyer Qeverinë në bandë kriminale, ndaj ai ka një kërcënim të drejtëpërdrejtë për të.
Berisha:Dola këtu para shqiptarëve sëpari për të paralajmëruar Edi Ramënse në rast se një qime floku pëson akademiku Mynir Koni ose djali i tij, akademiku Dhori Kule ose familjarë të tij, ose cilido akademik në garë në mënyrë absolute ta marrë si ultimatum, do të përgjigjet ai personalisht dhe as Gregu, askush tjetër.Rama këtë gjuhë do, atëherë jepi Çezarit atë që do. Me një gjuhë paralajmëruese, ish-kryeministri Berisha, i bën thirrje dhe Prokurorisë së Përgjithshme që të nisë menjëherë hetimin.
Berisha:I bëj thirrje Prokurorit të Përgjithshëm ose të aktivizojë Prokurorinë e Tiranës, ose rolin e Petritit ta marrë Emiljano Shullazi. Teksa e cilësoi ngjarjen të pa preçendent në historinë e Shqipërisë, kur krimi sipas tij shtrin duart drejt akademikëve, Berisha i bën thirrje dhe Presidentit Bujar Nishani që të luajë çdo rol që i njeh ligji për të tejkaluar këtë situatë të shëmtuar.