Meta: Edhe Ahmet Zogu, edhe Enveri edhe Doktori, të gjithë janë tanët

Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta thotë se nuk ka diskutuar asnjëherë me ndonjë politikan serb për ndarjen e Kosovës. Gjatë një interviste në emisionin “Komitet” të RTK-së në Kosovë, Meta u pyet nëse kishte diskutuar me ish-kryeministrin e ndjerë serb, Zoran Gjingjiç për këtë çështje.Meta: Asnjëherë nuk kam diskutuar me një politikan serb mundësinë për ndarjen e Kosovës. Madje me asnjë politikan shqiptar qofshin edhe të Kosovës për arsye, sepse këto janë procese të cilat, jo vetëm unë personalisht nuk është se i inkurajoj, sepse këto ndarjet sjellin gjithmonë një zinxhir pasojash dhe problemesh. Unë gjithmonë kam qenë partizan i zgjidhjeve integruese për një arsye shumë të thjeshtë, sepse në Ballkan në të njëjtën kohë të gjithë kombet janë shumicë diku dhe janë pakicë diku tjetër. Atëherë e vetmja zgjidhje është që të aplikojmë të njëjtat standarde për pakicat kudo ku ato janë në Kosovë, Serbi, Shqipëri, Maqedoni, Mal të Zi e kështu me radhë.Duke folur për situatën aktuale në Prishtinë, Meta tha se opozita duhet të kursehet me përdorimin e gazit në Parlamentin e Kosovës.Meta Duhet të kemi në konsideratë se demokracia në Kosovë, natyrisht është më e re se në Shqipëri, edhe demokracia parlamentare. Por sidoqoftë unë kam menduar se disa gjëra edhe mund të ishin kursyer, siç është kjo çështja e gazit dhe disa efekte të tjera, të cilat ndonjëherë eskalojnë raportet përtej komunikimit politik. Por sidoqoftë besoj dhe shpresoj që me zgjedhjen e Presidentit të ri, sepse ndoshta një arsye e tensionit ka qenë dhe mendimi apo shpresa se Presidenti mund të mos zgjidhet dhe vendi mund të shkojë në zgjedhje, që ka qenë një kërkesë dhe një objektiv i opozitës, mundësitë për të qetësuar situatën të jenë rritur.I pyetur nëse Lëvizja Vetëvendosje është pasuri kombëtare siç e ka konsideruar Edi Rama dhe Lulzim Basha, Meta shprehet se vlerëson pasionin e kësaj partie.Meta: Unë kam thënë diçka me kohë, që edhe Ahmet Zogu, edhe Enveri edhe Doktori si i themi ne në Shqipëri, këta janë të gjithë tanët, pavarësisht se njëri është hero tjetri është tradhtar, pastaj tjetri bëhet hero sipas ndërrimit të sistemeve të partive në pushtet e kështu me radhë. Pra janë produktet e vendit tonë, të kombit tonë, të historisë tonë, të rrethanave tona, të pjekurisë sonë, të aspiratave tona.Në këtë drejtim unë them se vlerësojmë atë pasionin e Vetvendosjes për të theksuar çështje të ndryshme, por përveç vizionit dhe pasionit, mendoj se është shumë e rëndësishme edhe rruga që ndiqet për të realizuar një projekt apo një synim. Dhe në këtë drejtim, e kam thënë edhe më parë, përdorimi i disa mjeteve që e shtojnë tensionin dhe shmangin dhe vëmendjen nga vetë problemi për të cilin ti je i angazhuar për ta zgjidhur, nuk është i dobishëm dhe i frytshëm. /Ora News/