Islanda emëron Kryeministrin e ri, kërkon zgjedhje në vjeshtë

Qeveria e Islandës emëroi Kryeministrin e ri dhe bëri thirrje për zgjedhje të parakohshme në vjeshtë, një ditë pasi kryeministri David Sigmundur Gunnlaugsson dha dorëheqjen, duke u bërë politikani i parë në botë që lë detyrën si pasojë e skandalit “Panama Papers”.Presidenti i vendit dekretoi Sigurdur Ingi Johannsson, i propozuari i koalicionit qeveritar në krye të Qeverisë.“Është një barrë e madhe në këtë situatë ku ndodhet vendi. Kjo nuk është situata më e mirë për marrjen e postit të Kryeministrit, por unë do të përpiqem të jap më të mirën time dhe ti siguroj islandezët se Qeveria e re do të stabilizojë vendin si në politikë dhe në qeverisje”, tha Johannsson në deklaratën e parë për mediat si Kryeministër, duke shtuar se tre ditët e fundit kanë qenë dramatike për vendin.Gunnlaugsson u largua pasi dokumentet e firmës juridike panameze treguan se gruaja e tij kishte në pronësi një kompani off-shore, e cila mbante miliona dollarë borxhe nga bankat e dështuara islandeze.Islandezët vijuan protestat masive mënjëherë pas publikimit të megaskandalit, duke kërkuar dorëheqjen e Kryeministrit në një kohë që ekonomia e vendit akoma nuk është rimëkëmbur nga kolapsi i bankave në 2008.