Nishani me Hahn: Më shumë vëmendje nga Komisioni Europian për Ligjin e Pronave

Gjatë takimit me   Komisionerin për Politikën e Fqinjësisë Evropiane dhe Negociatat e Zgjerimit, zotin Johannes Hahn, Kreu i Shtetit u ndal edhe tek çështja e pronës, si një e drejtë themelore, e cila është e lidhur pazgjidhshmërisht me fusha të rëndësishme të zhvillimit të vendit."Në këtë kontekst ai kërkoi një vëmendje më të madhe të Komisionit Evropian lidhur me këtë prioritet kyç, dhe veçanërisht ndaj ligjit të miratuar rishtazi në Parlamentin shqiptar, i cili shkon përkundër standardit të vendosur nga Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut", thuhet në njoftimin e Presidencës.Më tej u diskutua edhe për reformën në drejtësi, ku Presidenti Nishani vuri në dukje se zbatimi i reformave sipas udhërrëfyesit të përcaktuar nga Komisioni Evropian duhet të jetë prioritet i prioriteteve, përfshirë reformën në drejtësi, por edhe të katër prioriteteve të tjera që përfshijnë luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, administratën publike, të drejtat e njeriut si dhe çështjen e pronës."Presidenti Nishani evidentoi se mbetet i palëkundur në bindjen dhe mbështetjen e tij për një reformë që zhvillohet në suazën e rekomandimeve të Komisionit të Venecias dhe standardit evropian, si dhe se kjo reformë që kapërcen kufijtë e mekanizmave të sistemit të drejtësisë dhe përbën një reformë kushtetuese duhet të sigurojë medoemos jetëgjatësi. “Vullneti i palëve për të ecur në këtë trajektore mbetet kyç në këtë fazë të procesit,” – tha Presidenti", thuhet në njoftim./Oranews.tv/