Donika Kadaj Bujupi jep dorëheqje nga AAK-ja
Deputetja e Kuvendit të Kosovës Donika Kadaj Bujipi ka dhënë dorëheqjen nga AAK-ja pas 13 vitesh së qënuri pjesë e kësaj force politike. Nëpërmjet një deklarate zyrtare, ajo ka sqaruar se shkak i këtij vendimi është bërë marrja e vendimeve të njëanshme, të cilat sipas saj po pengojnë krijimin e një alternative të fuqishme, e cila do të sillte ndryshim në fushën politike në Kosovë."Vendimi im hyn në fuqi menjëherë dhe është i pakthyeshëm" mësohet të jetë shprehur deputetja Donika Kadaj Bujupi. I menjëhershëm ka qënë edhe reagimi i zyrtarëve të Aleancës për ardhmërinë e Kosovës të cilët kanë shprehur keqardhje por njëkohësisht edhe vlerësim për kontributin e saj.AAK thekson se do të vazhdojë të jetë parti e parimeve demokratike dhe se është e ndërgjegjshme për situatën e vështirë në të cilën ndodhet vendi, ndaj edhe po tregohet shumë e kujdesshme për vendimet që po merr.Kjo është deklarata e saj e plotë:Të nderuar qytetarë të Republikës së Kosovës,Si qytetare dhe deputete e Kuvendit të Republikës së Kosovës, kam dhënë kontributin tim të jashtëzakonshëm me qëllim të ndaljes së dy marrëveshjeve të dëmshme për vendin dhe për kauzën në të mirën e vendit. Mirëpo luhatja aktuale e sidomos marrja e vendimeve të njëanshme, të cilat vazhdimisht po e pengojnë krijimin e një alternative të fuqishme, e cila do të inicionte ndryshimin, është një prej arsyeve që ka zbehur dhe dobësuar ëndrrën për ndryshim në këtë vend, vend i cili nuk e meriton gjendjen në të cilën është, ëndërr për të cilën përherë kam sakrifikuar dhe kam qenë e gatshme të ballafaqohem edhe me burg edhe me çfarëdo sfide tjetër. Situata e krijuar po më imponon që sot me keqardhje t’ju njoftoj se më nuk do të jam pjesë e AAK-së, pjesë e partisë për të cilën kam punuar ditë e natë që 13 vite më parë kur fillova aktivitetin tim. I falënderoj të gjithë mbështetësit e mi dhe ju premtoj se çdoherë do te gjej mënyrën për t’ju shërbyer drejt juve dhe interesave të vendit. Vendimi im hyn në fuqi menjëherë dhe është i pa kthyeshëm.