Refugjatja nga Kurdistani lind foshnjen e vdekur, nuk e varros dot se s’ka përkthyes

Gëzimi i amësisë për një nënë të re refugjate në Greqi është kthyer në dhimbje dhe zi.Mediat greke raportojnë se një grua  30-vjeçare shtatëzënë nga Kurdistani ka mbërritur pas shumë vuajtjeve në kampin e refugjatëve në Katsikas të mërkurën pasdite.Gruaja gati për të lindur është dërguar menjëherë në spitalin Hatzikosta të Janinës.Por fatkeqësisht fëmija që donte aq shumë ta sillte në jetë ka lindur i vdekur.30-vjeçarja gjendet e shtruar në spital dhe krahas dhimbjes për humbjen e foshnjes, ajo po përballet edhe me një tjetër sprovë burokratike për varrosjen e fëmijës.Gruaja mësohet se i ka nënshkruar të gjitha dokumentet e nevojshme, por duhet të jenë të përkthyera në gjuhën amtare, madje edhe nga një përkthyes i certifikuar.E njëjta gjë duhet të bëhet me certifikatën e vdekjes së fëmijës.Por në këtë zonë mësohet se nuk ka asnjë përkthyes dhe agjencitë janë mobilizuar për të gjetur një zgjidhje.Në pritje të zgjidhjes, trupi i foshnjes së pajetë mbetet në dhomat e ftohta të spitalit.