Meta me delegacion arbëresh: Intesifikim të marrëdhënieve me këtë komunitet
Kryetari i Kuvendit Ilir Meta priti sot një delegacion arbëresh që kryesohej nga senatori Cesare Marini, njëkohësisht Kryetar i Komunës së Shën Mitrit. Gjatë takimit, Meta e vuri theksin tek intensifikimi i marrëdhënieve institucionale midis të gjithë komunave arbëreshe në Itali me Shqipërinë, me qëllim ruajtjen e kësaj pasurie kulturore kombëtare.Ilir Meta: Unë besoj se në këtë mënyrë ne do t'i zgjerojmë më tej jo vetëm lidhjet shpirtërore, por edhe ato institucionale, që do të përbëjnë një garanci afatgjatë për forcimin e përhershëm të lidhjeve midis arbëreshëve dhe Shqipërisë, por që janë gjithmonë edhe një vlerë e shtuar në marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe Italisë.Ndërsa senatori Marini vlerësoi progresin e Shqipërisë në rrugën drejt Bashkimit Europian.Cesare Marini: Jam i lumtur të di që nga vendi nga kanë prejardhjen arbëreshët e Kalabrisë, ka një grup drejtuesish në gjendje për të përballuar sfidat europiane. Kur vij këtu në Shqipëri, shoh me kënaqësi këtë shndërrim kaq të drejtpërdrejtë. Një vend që vrapon drejt zhvillimit, progresit, drejt së ardhmes me një shpejtësi që është për t'u marrë shembull. Ky takim shërbën për të krijuar lidhje më të forta institucionale për të mbështetur ruajtjen e gjuhës, kulturës dhe pasurisë historike që përfaqëson komuniteti arbëresh. Në Komunën e Shën Mitrit, provincë e Kozencës në Kalabri, kanë studiuar dhe janë edukuar figura mjaft të rëndësishme të rilindjes, mes tyre edhe De Rada, Luigj Gurakuqi e shumë të tjerë./Oranews.tv/