Arrestohen dy persona që financuan rekrutë kosovarë të ISIS
Nga OraNews Përditësimi i fundit 16 Mars 2016, 10:40
Policia e Kosovës ka arritur t’i arrestoj dy persona të cilët dyshohen se kanë financuar rekrutë Kosovarë për t’u bërë pjesë e ISIS-it.
Në një komunikatë për media të Policisë së Kosovës thuhet se me datën 15/03/2016 në rajonin e Prizrenit, Drejtoria Kundër Terrorizmit në bashkëpunim me Drejtorinë Rajonale të Policisë në Prizren ka zbatuar urdhër kontrollin e lëshuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë ndaj të dyshuarit P. D., nën dyshimin se i njëjti është i përfshirë në ‘financim apo lehtësim të terrorizmit’, sanksionuar sipas Ligjit nr. 03/L 196, neni 36B, ‘financim i terrorizmit’.“I dyshuari P. D. së paku në një rast ka financuar dy persona me qëllim të pjesëmarrjes në grup terrorist, përkatësisht në konflikt jashtë vendit, vepër e ngelur në tentativë, pasi që të njëjtit janë ndaluar nga Drejtoria Kundër Terrorizmit në muajin dhjetor 2015 në tentativë që të udhëtojnë për në zonën e konfliktit. Ndaj të dyshuarit janë duke vazhduar hetimet edhe për mundësinë e përfshirjes së tij në raste tjera”, thuhet në komunikatën e Policisë së Kosovës.Ndërsa sot Drejtoria Kundër Terrorizmit ka ndërmarrë një operacion për zbatimin e urdhër kontrollit të lëshuar nga Gjykata Themelore në Ferizaj ndaj objekteve të banimit dhe bizneseve të personit F. R. në rajonin e Prishtinës dhe Pejës.Ndaj të dyshuarit F. R. Policia thotë se që nga viti 2014 janë duke u zhvilluar hetime penale, nën dyshimin se i njëjti në vazhdimësi ka qenë në kontakt me persona dhe grupe të caktuara të personave nga Kosova, të cilët janë marrë me organizimin dhe pjesëmarrje në grup terrorist.Policia thotë se i dyshuari F. R. në vazhdimësi ka vënë në dispozicion bizneset e tij, me qëllim të përkrahjes dhe mbështetjes financiare dhe logjistike të personave që janë të përfshirë në organizim dhe rekrutim për terrorizëm, duke përfshirë edhe persona të cilët njihen për përhapjen e ideologjisë ekstremiste në tërë Kosovën, si dhe persona të cilët kanë udhëtuar apo kanë tentuar të udhëtojnë për në zonën e konfliktit.“Shumë persona të cilët i dyshuari F. R. në mënyrë të drejtpërdrejtë apo nëpërmjet personave tjerë i ka mbështetur në aspektin financiar dhe logjistik janë arrestuar për vepra penale nga kapitulli i XIV i KPK-së, përkatësisht veprave penale kundër rendit kushtetues të Republikës së Kosovës, disa prej tyre aktualisht gjenden në zonën e konfliktit në Siri dhe Irak, ndërsa një numër i tyre, duke përfshirë edhe disa persona që kanë qenë të punësuar në bizneset e tij, janë raportuar të vrarë në zonën e konfliktit. Në këtë kontroll janë konfiskuar dokumentacione dhe pajisje elektronike të cilat konsiderohen prova që ndërlidhen me vepra penale”, thuhet në komunikatën e policisë.Policia thotë se personi në fjalë ka kryer këto vepra penale: rekrutim për terrorizëm, nga neni 139 të KPK-së, organizimi dhe pjesëmarrja në grup terrorist, nga neni 143, paragrafi 2 të KPK-së, lehtësimi në kryerjen e terrorizmit, nga neni 138 të KPK-së, Ligji Nr. 04 L/-178 – Ligji mbi parandalimin e financimit të terrorizmit./KosovaPress/