Arbana: Përtej make up-it kryeqytetas dhe intelektual, shumë arsye për protestuar

Megjithëse në Shqipëri 8 Marsi konsiderohet më tepër si festë, Kryetarja e Shoqatës “Në dobi të gruas” Sevim Arbana thotë se kjo ditë në respekt edhe të historisë së saj duhet parë si protestë dhe duhet protestuar.Kjo sipas saj vlen më shumë për vendin tonë, ku arsyet për të ngritur zërin janë shumë.Arbana: Krahas festës që është protestë apo protestë-festë, gratë shqiptare festojnë sepse është egoja e një sistemi i cili propagandonte lumturinë pa kufi të grave dhe të njerëzve dhe kjo mbeti kështu. Nga ana tjetër ka shumë aktivistë, organizata, gra të tjera si në gjithë botën që festojnë “ndryshe”, domethënë protestojnë. Mendoj që është dita në respekt të 8 marsit 1917 dhe gjithë historisë si u caktua 8 marsi ne duhet të protestojmë. Aq më tepër që ne në Shqipëri kemi shumë arsye për të protestuar.Po për çfarë do të protestojë sot kjo organizatë e grave dhe cilat janë mesazhet që do të përcillen në këtë 8 mars?Arbana: Ne sot si organizatë dhe grupim shumë i madh do sjellim dy mesazhe: Së pari “Gratë bëjnë histori çdo ditë”, nga ana tjetër ne sjellim sot një mesazh paqeje që është në kuadrin e një lëvizje botërore, është Organizata Ndërkombëtare e Grave për Paqe. Sjellim këtë mesazh se bota sot është në një stuhi lufte, ato mund të vinë dhe janë afruar dhe tek ne. Evropa vuan problemet e varfërisë dhe varfëria është armiku kryesor i paqes.Mesazhet e paqes dhe mbijeteses të cilat gratë duhet të durojnë dhe të kontribuojnë për të luftuar varfërinë duhet të jenë shumë të forta. Sot kemi shumë arsye për të protestuar, për autokracinë që është në pushtet siç është rasti i fundit me ngjarjet në parkun e liqenit, protestojmë për gratë e vrara, protestojmë për Nazimen, një lule për Nazimen dhe kjo ishte fraza e një burri në fb, një viktimë e pedofilisë dhe dhunës, ne sot protestojmë për varfërinë ekstreme që ka kapur shoqërinë shqiptare, gratë shqiptare po vuajnë. Kemi një mase shumë të madhe përtej këtij makeup-it kryeqytetas dhe intelektual kemi një grup të madh grash dhe vajzash që vuajnë papunësinë, varfërinë , strehimin. Do protestojmë për fëmijët rom që nuk gëzojnë fëmijërinë.Kërkojmë një shoqëri pro gruas dhe për gruan. Gruaja është shtëpia, shoqëria është grua, është femërore gjithçka. Megjithatë duke qenë se jemi një shoqëri demokratike ka vend dhe për të festuar, ka vend dhe për të kërcyer, ka vend për të gjitha.