Nishani në Bosnje, i kërkon homologut të tij njohjen e shtetit të Kosovës
Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, kërkoi nga Bosnje Hercegovina të njohë shtetin e pavarur të Kosovës.Deklarata e Kreut të Shtetit u bë në konferencën e përbashkët që pati me homologun Dragan Čović.Gjatë vizitës zyrtare në Bosnje Hercegovinë ai theksoi se një hap i tillë do të përmirësonte marrëdhëniet mes Kosovës dhe Bosnjes.Nishani: Kërkova rishikimin e qëndrimit nga Bosnja-Hercegovina për njohjen e Republikës së Kosovës dhe të dokumenteve të saj, duke shprehur besimin se ky veprim jo vetëm që do t’i hapte rrugën normalizimit të marrëdhënieve mes Bosnje-Hercegovinës e Kosovës, por do të kishte një impakt shumë të rëndësishëm e pozitiv, për të gjithë rajonin e Evropës Juglindore.Për Kreun e Shtetit shqiptar ka ardhur koha që të shfrytëzohen hapësirat ekonomike mes Shqipërisë dhe Bosnjes, madje duke hedhur idenë e lëvizjes për qytetarët e dy vendeve vetëm me kartë identiteti.Nishani: Ramë dakord që të punojmë më shumë në nxitjen e Qeverive dhe institucioneve të vendeve tona për eksplorimin e të gjitha mundësive të bashkëpunimit ekonomik e tregtar, që nga mundësia e thirrjes së komisionit të përbashkët ekonomik e deri tek lehtësimi i kontakteve mes Dhomave të Tregtisë dhe Industrisë, si dhe agjencive të nxitjes së investimeve të huaja të drejtpërdrejta dhe eksporteve.Gjithashtu, sot pata mundësinë që të shpreh qëndrimin e palës shqiptare për nxitjen e lëvizjes së lehtësuar mes qytetarëve të dy vendeve tona. Gjykoj se ka ardhur koha që qytetarët e dy vendeve tona, si vende Kandidate apo potenciale kandidate në BE, të lëvizin në vendet respektive vetëm me karta identiteti, pa pasur nevojë për pasaportë. Arritja e kësaj marrëveshje, ashtu si edhe mes shumë vendeve të tjera të rajonit, do të ndihmonte përfaqësuesit e bizneseve dhe në përgjithësi qytetarët e të dy vendeve tona për të lëvizur sa më lehtësisht.Palët diskutuan edhe për proçeset integruese të rajonit, ku Shqipëria mbështet aplikimin e Bosnje Hercegovinës për tu anëtarësuar në BE.Presidenti Nishani u takua edhe me përfaqësuesit e Asamblesë parlamentare, ku vlerësoi dëshirën dhe vullnetin e përbashkët për forcimin dhe thellimin e bashkëpunimit mes vendeve.Duke iu referuar pranisë së komunitetit shqiptar në Bosnje Hercegovinë si dhe atij boshnjak në Shqipëri, Presidenti Nishani i konsideroi ato si ura lidhëse që i afrojnë më shumë dy vendet.