Shoqata e Ndërtuesve: Lejet të bllokuara në 47 Bashki, presim zhbllokimin në tetor

Pavarësisht deklaratës së Ministres së Zhvillimit Urban se lejet e ndërtimit nuk janë të bllokuara, Shoqata e Ndërtuesve deklaron se realiteti flet ndryshe. Maksim Muçi, kryetar i Shoqatës së ndërtuesve deklaron se vetëm 14  Bashki nga 61 kanë plan urbanistik dhe kanë të drejtë të japin leje, ndërsa presin që zbllokimi i tyre në të gjithë vendin të realizohet në fund të muajit shtator kur është premtuar se do të përfundojë plani kombëtar. Shoqata e Ndërtuesve e  vlerëson projektin për dhënien e lejeve në mënyrë elektronike.Ngërçi i dhënies së lejeve të ndërtimit në Shqipëri duket se nuk ka marrë fund. Shoqata e Ndërtuesve shpjegon se aktualisht në Shqipëri japin leje vetëm 14 nga 61 bashki, të cilat kanë plane urbanistike dhe këtu nuk përfshihet Tirana e cila mban peshën më të madhe në këtë sektor.Maksim Muçi, kryetar i Shoqatës, shpjegon se zhbllokimi i lejeve do të bëhet vetëm në fund të muajit shtator kur pritet sipas premtimeve të qeverisë të përfundojë plani rregullues kombëtar.Muçi: Ato që kanë plan të miratuar si Shkodra, Durrësi, disa qendra të tjera, Himara mund të japin leje. Tirana jo, sepse pas zgjedhjeve të qershorit 2015 në korrik ose në gusht, kryetari i Bashkisë së Tiranës vendosi të rishikojë planin e Tiranës.Muçi vlerëson nismën e qeverisë për ngritjen e sistemin elektronik të dhënies së lejeve të ndërtimit.Muçi: Kjo detyrimisht që është pozitive, në radhë të parë edhe në legjislacion parashikohet. Në radhë të dytë edhe është një teknikë, një mënyrë operimi që është e kohës.Me gjithë problemet në vijimësi të sektorit të ndërtimit dhënia e lejeve online i kthen përfaqësuesit e kësaj industrie në pozita optimiste pasi presin që ky proçes të sjellë rezultate në uljen e burokracive dhe shkurtimin e proçedurave.