Fleckenstein: Të shqetësuar që Prenga do të hyjë në Parlament

Opozita të mos i kthehet bojkotit, por palët të dialogojnë e zgjidhin mosmarrëveshjet. Apeli vjen nga raporteri për Shqipërinë, Knut Flekenshtejn, i cili i ka kërkuar Ministrit Saimir Tahiri të raportojë për çështjen Prenga që po shtyn opozitën drejt një bojkoti të mundshëm. Vetë Tahiri pas takimit në Bruksel i kërkoi opozitës të ulet në tryezën parlamentare për të miratuar aktet nënligjore e për të nisur zbatimin e dekriminalizimit.Parlamenti Europian kërkon që politika shqiptare të gjejë rrugën e dialogut dhe opozita të mos i kthehet bojkotit.Eurodeputeti dhe Raporteri për Shqipërinë, Knut Fleckenstein, pas një takimi me Ministrin e Brendshëm Sajmir Tahiri tha se i ka kërkuar atij të raportojë për çështjen e Armando Prengës, deputetit që i është kthyer jetës parlamentare.Knut Fleckenstein: I kërkova ministrit se si është çështja e zotit Prenga, sepse kjo është një nga lajmet që kam marrë nga Tirana. Ne ramë dakord se është e rëndësishme që të miratohen aktet për ligjin e dekriminalizimit, për të evituar raste të tilla, sepse këtu ka me të vërtetë një shqetësim për faktin se ky person tashmë po hyn në Parlament. Shpresoj të mos ketë bojkot të Parlamentit, por dialog mes palësh.I pyetur se a është ndjerë në pozitë të vështirë kur ju bënë pyetje lidhur me rastin "Prenga", Ministri Tahiri u përgjigj:Sajmir Tahiri: PS, qeveria dhe maxhoranca kanë ndërmarrë aktet e duhura politike për të dënuar siç duhet aktin dhe për të bërë ç'është e mundur që ky shembull të kthehet, jo në një bojkot politik. Çështja nuk është tek emrat konkretë, por te vullneti për të miratuar aktet nënligjore të ligjit. Prandaj është opozita e ftuar në tryezën parlamentare për të zgjidhur dhe miratuar sa më shpejt aktet nënligjore që do të bënin efektiv zbatimin e ligjit.Eurodeputeti Fleckenstein tha se në draft-rezolutën për Shqipërinë do të pasyqrohen edhe ato që ka raportuar Ministri Tahiri mbi  progresin e bërë në prioritet e mbuluara nga dikasteri që drejton.Ndërsa Ministri tha se ka marrë mbështetje nga përfaqësuesit e vendeve anëtare të BE për reformat që janë ndërmarrë.