Meta nga Suedia: Reforma në drejtësi garanci më shumë për investitorët
Kryetari i kuvendt Ilir Meta ka ftuar investitorët suedezë të kthejnë sytë nga Shqipëria për ta parë atë si një mundësi investimi. Gjatë takimit me homologun e tij Urban Ahlin kryetari i Kuvendit shqiptar tha se me reformën në drejtësi që pritet të mbyllet në pranverë Shqipëria bëhet e vetëdijshme që duhet punuar më fort për krijimin e një klime më të besueshme biznesi."Ne e dimë që për investitorët suedezë është shumë e rëndësishme siguria juridike dhe rendi ligjor, prandaj dhe e kam njohur, e kam siguruar Kryetarin e Parlamentit, z. Ahlin, për vendosmërinë tonë për të përmbyllur me sukses reformën madhore në sistemin e drejtësisë, që do të krijojë një ambient shumë më të besueshëm për investitorët e huaj në vendin tonë", tha Ilir Meta.Ndërsa kryetari i Parlamentit Urban Ahlin, tha se Suedia do të vazhdojë të ofrojë mbështetjen e plotë në rrugën e Shqipërisë drejt integrimit europian, si edhe do të promovojnë potencialet e vendit për investimet e huaja."Suedia e ka mbështetur gjithmonë Shqipërinë në rrugën drejt integrimit europian dhe është e vendosur të vazhdojë këtë mbështetje, që Shqipëria të bëhet anëtare e BE-së në të ardhmen. Sigurisht, ne do të bëjmë të gjitha përpjekjet për të nxitur investimet në Shqipëri, por natyrisht edhe investimet shqiptare në Suedi", Urban Ahlin.Dy delegacionet parlamentare zhvilluan bisedime mbi marrëdhëniet dypalëshe, intensifikimin e bashkëpunimit ndërparlamentar dhe mbi zhvillimet e fundit në rajonin e Ballkanit dhe në BE. Gjatë vizitës në Parlamentin suedez Riksdag, Kryetari i Kuvendit Meta dhe delegacioni parlamentar shqiptar u pritën edhe nga një delegacion i përbashkët i Komisionit të Jashtëm Parlamentar dhe kryetari i tij Keneth Forslund si dhe Komisionit për Çështjet Evropiane.