Rama vizitë tek kompania DAST: Politika nxitëse dhe mbështetëse për biznesin
Kryeministri Rama ka promovuar lehtësirat e qeverisë për biznesin gjatë një vizite në kompaninë DAST. Rama tha se heqja e taksës së makinerive, rimbursimi i TVSH-së por edhe zhbllokimi i lejeve të ndërtimit, do të ndihmojnë kompanitë e mëdha të zgjerojnë edhe më tej aktivitetin e tyre.Kryeminsitri, Edi Rama vizitoi nga afër ambientet e kompanisë "Dast", pjesë e "Delta Group", një prej kompanive më të mëdha në fushën e prodhimit të rifiniturave, ngjitësave, adetivëve, dhe produkteve të tjera.Lehtësirat ekonomike të qeverisë, tha Rama, kanë lehtësuar punën e kompanisë "DAST", duke iu referuar edhe reformës për lejet e ndërtimit.Rama: Ne i kemi lejuar lejet dhe nuk ka më pengesa, sidomos për banesat private. Nuk ka pengesa që nga dita A. Banesat private, investimet prodhuese kanë qenë gjithmonë të hapura. Nga ana tjetër, sigurisht që na duhej të bënim një disiplinim dhe të vinim nën kontroll territorin se u bë një çmenduri me ndërtimet pa leje.Në dy vitet e fundit kompania ka mundur të rrisë investimet me vlerë prej 8 milion euro, ndërsa është duke ndërmarrë një investim të ri me vlerë 6 milionë euro për ngritjen e një fabrike të re.Presidenti dhe CEO i kompanisë, Luan Muça, tha se pjesa e rimbursimit të TVSH-së ka pasur impact pozitiv në ecurinë e importit.Muça: Heqja e taksës së makinerive, për arsye se ne kemi importuar në mënyrë të vazhdueshme, pa dyshim që ndihmon, por ajo që është e rëndësishme dhe unë dua ta theksoj, na ka ndihmuar jashtëzakonisht shumë pjesa e rimbursimit të TVSH-së.Përveç prodhimeve, kompania "DAST" ka të punësuar një numër të konsiderueshëm personash, ndërsa një grup ekspertësh i dedikohen kërkimit shkencor dhe kanë arritur të certifikojnë më shumë se 500 produkte vendase sipas standarteve europiane.Kompania mbetet e angazhuar për të bashkëpunuar me Qeverinë për formimin e shkollave dhe kurseve profesionale, ku profesionistët e ardhshëm do të kualifikohen sipas nevojave të tregut.