Debati për rivarrimin, Çuni: Nuk po bëjmë pis figurën e piktorit, po zbatojmë amanetin

Zëvendësministri i Kulturës, Zef Çuni i ka kthyer përgjigje nga studio e lajmeve në Ora News deputetit Ben Blushi dhe të gjithë atyre që mendojnë se debati për rivarrimin e Ibrahim Kodrës e bën “pis” figurën e piktorit të njohur.Zef Çuni: Nuk ka mundësi që ministria e Kulturës të tentojë të bëjë pis një figurë kaq të ndritur të artit dhe të kulturës shqiptare. Ne do ta bënim pis nëse do ta merrnim nga Ishmi dhe ta çonim në një fshat tjetër ose në Tufinë. Ne po e vendosim pranë Faik Konicës dhe pranë vëllezërve Frashëri.Duke cituar testamentin, por dhe kërkesat zyrtare të Fondacionit që mban emrin e artistit”, Zëvendësministri Çuni tha se nisma çon në vend amanetin e Ibrahim Kodrës.Zef Çuni: Amaneti i tij nuk është në Ishëm, është në Tiranë ose në Durrës dhe këtu ka një testament ligjor, të cilin ai e ka lënë dhe jemi të detyruar ta zbatojmë.Çuni tregoi detaje nga negociatat me banorët e Ishmit, të cilët kundërshtojnë zhvendosjen e trupit të Ibrahim Kodrës dhe zbuloi ofertën e qeverisë për zhvillimin e turizmit në zone.Zef Çuni: Të ulen me ministrinë e Kulturës, të ulen me ne të shohim projektet që ata kanë të çojmë edhe projekte që ne mund të bëjmë, edhe për shtëpinë ku ka lindur Ibrahim Kodra që është prishur, por edhe për vetë memorialin dhe për kalanë e Ishmit që është monument kuluture, edhe për asfaltimin e rrugëve deri tek shtëpia e Ibrahim Kodrës. Zëvendësministri u shpreh optimist për arritjen e dakordësisë, ndërsa theksoi se po punohet për detajet e fundit të ceremonisë së rivarrimit të Ibrahim Kodrës./Oranews.tv/