Avokatët bojkotojnë seancat, Unioni i Gjyqtarëve apel për pjesëmarrje

Greva një ditore e avokatëve në të gjithë vendin sjell pasoja të rënda për qytetarët sidomos në çështjet civile, të cilat shkojnë deri në pushim të tyre nëse avokati nuk paraqitet. Kreu i Unionit të gjyqtarëve Gert Hoxha apelon për zgjidhje sa më të shpejtë të situatës ndërsa vetë avokatët pohojnë se do të vazhdojnë protestën nëse çështja e tyre nuk zgjidhet.Të gjitha shkallët e gjyqësorit përfshi edhe gjykatën e lartë edhe atë kushtetuese janë paralizuar këtë të hënë nga bojkoti i avokatëve, të cilët kanë bërë një grevë një ditore paralajmëruese, duke kundërshtuar vendimin e qeverisë rritjen e tarifave për sigurimet.Por pasojat e të gjithë kësaj greve, e cila edhe mund të përshkallëzohet edhe në ditet në vazhdim rëndon tek qytetarët, sidomos në çeshtjet civile, të cilat nga mungesa e avokatëve mund të pushohen. Kreu i Unionit të Gjyqtarëve Gert Hoxha, i cili është njëkohësisht edhe anëtar i KLD-së apelon për një zgjidhje sa më të shpejtë të kësaj situate duke rekomanduar që palet të ulen në diskutime.Gert Hoxha:  Kjo është një gjëndje shqetësuese dhe ne i bëjmë thirrje gjithë organeve kopetente që kanë në dorë, të ulen të diskutojnë dhe ta zgjidhin sa më parë këtë problem. Për ne është një situatë që nuk ka ndodhur më parë, por ne jemi të pafuqishëm për ti dhënë zgjidhje ne si trupë gjyqësore apo këshilli i lartë i drejtësisë, ti japë zgjidhje këtij problemi.Sipas Hoxhes përshkallëzimi i grevës do të sjellë pasoja kryesisht të qytetarët të cilët presin gjykime sa më të shpejta qoftë në çështje penale ashtu edhe në ato civile.Gert Hoxha: Të parët që e pësojnë janë qytetarët pastaj gjyqtarët, dhe në fund të fundit ulet cilësia e dhënies së drejtësisë.Ndërsa vetë avokatët pohojnë se do të vijojnë grevën nëse qeveria nuk tërhiqet nga vendimi i marrë.Avokatët: Greva jonë është, ne e konsiderojmë shumë të drejtë. Pasi ne mendojmë se tarifa, referenca e pagës që na është caktuar me vkm-në e fundit qeveria, na duket teper e lartë.Vendimi i grevës është marrë nga Dhoma Kombëtare e Avokatisë, e cila i ka njoftuar me një sms avokatët në të gjithë vendin që të përkrahin grevën dhe të mos paraqiten në gjykata, madje në rast paraqitje ndaj tyre do të merren masa disiplinore.Nga greva këtë herë janë përjashtuar vetëm avokatët e masave të sigurisë, pasi mungesa e avokateve në këto masa sjell pasoja të rënda deri në lirimin e të akuzuarve për shkak të skadimit të afateve./Oranews.tv/