Përplasje mes një pjese të anëtarësisë së PSD-së me kryetarin Gjinushi
Përplasje brenda strukturave të Partisë Social Demokrate. Në mbledhjen e njoftuar të Këshillit Kombëtar, një pjesë e anëtarëve mes tyre Sekretari i Përgjithshëm Rustem Preçi, nuk e kanë ndjekur takimin duke akuzuar kryetarin Skënder Gjinushi se ka bllokuar qëllimisht pjesëmarrjen e tyre.Ata thonë se Gjinushi ka mbledhur në takim mbështetësit e tij që në orët e para të mëngjesit dhe më pas ka mbyllur portën. Për më tepër, pranë selisë ka patur edhe policë.Rustem Preçi, sekretari i përgjithshëm PSD: “Këtu mbledhim këshillin, e sheh dhe vet, nuk mblidhet.Unë jam sekretari i përgjithshëm, nuk mblidhet.As kongres as mbledhje. Kemi 8 vjet nuk bëjmë asgjë.”Ndërkohë këto pretendime janë hedhur poshtë nga kryetari i PSD Skënder Gjinushi.I kontaktuar nga Ora News, Gjinushi tha se në mbledhje kanë qenë të pranishëm anëtarët e Këshillit Kombëtar dhe se personat që akuzojnë për përjashtimin nga takimi nuk e kanë këtë status. Ndërkohë një mbledhje e dytë e Këshillit Kombëtar do të mbahet të enjten në orën 15 00./Oranews.tv/