Dëmshpërblimet e përmbytjeve, banorët e Oblikës në protestë, bllokuan rrugën
Pas banorëve të Dajçit, Velipojës, Berdicës e Bushatit, këtë të shtunë harta e protestuesve që kërkojnë dëmshpërblimin e përmbytjeve në qarkun e Shkodres është zgjeruar me njësinë administrative të Anës së Malit. Për rreth 20 minuta banorët e kësaj zone protestuan në fshatin Oblikë, duke bllokuar njërin sens kalimi të rrugës për në Muriqan.Me pankarta në duar, ata i kujtuan qeverisë premtimin për dëmshpërblim, ku edhe pse kanë kaluar 5 vite nga vërshimi i ujrave, ende nuk kanë marrë 51% të shumës që u takon për dëmet në shtëpi e biznese.Protesta e banorëve ka vijuar e qetë, ndërsa monitorohej nga forcat e policisë për të shmangur çdo incident. Banorët paralajmëruan se do t’i vijojnë këto protesta deri në marrjen e një përgjigjeje përfundimtare nga qeveria lidhur me fatin e dëmshpërblimit të përmbytjeve masive që kaluan përgjatë viteve 2010 – 2011, ku në Shkoder u zhyten në ujë 16 mijë ha, qindra shtëpi e biznese.
