"Qeveritë i shohin rekomandimet tona si bezdisje dhe sulme"

Fjala e Avokatit të Popullit, Igli Totozani në analizën vjetore të KLSH, 1 shkurt 2016E prita me shumë kënaqësi ftesën e Kryetarit të Kontrollit të Lartë të Shtetit, zotit Bujar Leskaj, për të marrë pjesë në këtë analizë të punës së institucionit tuaj, jo thjesht si një qokë, që shpesh behet në të tilla raste, por si pjese e një filozofie të re, që ky institucion ka përqafuar, duke u bërë më transparent dhe duke u afruar në standartet dhe konceptin e qëllimit për të cilin është krijuar, pra që t’i shërbejë të drejtave themelore të qytetarëve për një qeverisje sa më efikase në përmirësimin e cilësisë së jetës së tyre.Unë besoj se rreshtohemi në të njëjtën linjë. Kemi përgjegjësinë për të qenë aleatë në krah të qytetarëve e në mbrojtje të interesave të tyre. Sikundër kemi detyrimin të bëhemi kundërshtarët më të rreptë të abuzimit, arrogancës, dhe paaftësisë së shumë zyrtarëve, të cilët ulen e ngrihen në karrige pushteti, pa kuptuar kurrë se punët e qeverisë nuk janë për të mbushur xhepat personalë, por për të rritur mirëqënien e qytetarëve.Fatkeqësisht, mendoj se jemi në një situatë më të vërtetë emergjence. Korrupsioni e ka gërryer shoqërinë në atë pikë sa qytetari ka humbur besimin. Këtë situatë edhe për shkak të detyrave tona institucionale ne e konstatojnë rëndom në ankesat e shumta që qytetarët adresojnë përditë pranë nesh.Këtë qytetari e ndjen, në shëndetësi, në arsim, në kontaktin me zyrtarin e korruptuar apo të paaftë.  Por  qytetari këtë e ndjen në mënyrë indirekte edhe në shkatërimin e pronës dhe të biznesit të tij, kur paratë shpërdorohen për investime infrastrukturore gjysmake apo elektorale. Të korruptuarit nuk duhet të mbeten pa u  ndëshkuar.Do desha të ndaja me ju me këtë rast, duke e çmuar shumë të rëndësishëm një shembull konkret, i cili shpreh jo vetëm perceptimin tim, por të të gjithë banorëve që unë takova në rastin e daljes së fundmi nga shtrati të lumit Shkumbin. Në atë zonë, janë shkatërruar disa ura me pasoja katastrofike për mijra banorë, të cilëve ju është ndërprerë, (dhe vazhdon fatkeqësisht të jetë i tillë), jeta e përditshme, biznesi, shkolla e fëmijëve etj. Në këtë lumë, pavarësisht përmbytjeve në vite vazhdon të qëndroje ne këmbë dhe të funksionojë një urë e ndërtuar në shekullin e 17-të, ndërkohë që ato të ndërtuara së fundmi nuk qëndrojnë në këmbë. E pra, kjo vjen era korrupsion dhe në këtë rast nuk janë vjedhur ca para, por shkon përtej, pasi ka sjellë shkeljen e  të drejtës themelore të banorëve të zonës, të përmbushin nevojat e jetesës, të shkollimit apo të biznesit të tyre, të cilën ja garanton Kushtetuta e Shqipërisë.E tregova këtë shembull për të gjetur në këto raste mundësitë, për të bashkëpunuar e ndërvepruar mes institucioneve tona, të fokusura thelbësisht në mbrojtjen e të drejtave të njeriut. Ky është një mision joni i përbashkët.Në këtë kuadër, respektimi i pavarësisë së institucioneve të pavarura, forcimi i kapaciteteve njerëzore dhe financiare të tyre, zbatimi i standarteve dhe praktikave më të mira, eshte dhe mbetet nje perpjekje dhe sfide e vazhdueshme e institucioneve tona.Konstatoj me kënaqësi, se Kontrolli i Larte i Shtetit vitet e fundit ka bere nje pune të lavdërueshme dhe efikase, duke u spikatur dukshëm si një institucion i pavarur dhe me rezultate të larta në luftën kundër korrupsionit dhe keqmenaxhimit të fondeve publike.Është kjo pavarësi që institucioni juaj ka siguruar, që sot shumë zyrtare nga niveli me i ulët e deri në funksionarë të lartë politikë, kanë përfunduar në Prokurori për shpërdorim të fondeve publike, apo dhe shumë të tjerë janë ndëshkuar me masa administrative.Por, një luftë jo e vogël, presionin e të cilës e ndjejmë shumë edhe ne si institucion i pavarur, është përpjekja e vazhdueshme që duhet bërë, në ndryshimin e filozofisë së vetë qeverisjes, e cila shpesh herë pavarësinë dhe rekomandimet tona i shohin si një bezdisje dhe sulme ndaj tyre dhe jo si një frymë bashkëpunimi në përsosje të punës së tyre.Dhe në rastin tuaj institucionet duhet të jenë tërësisht të vetëdijshëm mbi rëndësinë që kanë rekomandimet e Kontrollit të Lartë te Shtetit si një instrument i domosdoshëm në mbrojtjen e fondeve shtetërore, duke inkurajuar në këtë mënyrë një qeverisje më të mirë në sektorin publik.Gjej rastin të falenderoj dhe të vlerësoj ftesën që kryetari i KLSH-së,  z. Bujar Leskaj na ka drejtuar së fundi për një bashkëpunim të ngushtë midis institucioneve tona, ku komisionerët dhe ekspertët e Avokatit të Popullit do të ftohen të trajtojnë çështje të rëndësishme si vlerësimi dhe mënyra e trajtimit të letrave dhe ankesave të qytetarëve nga KLSH, apo vlerësimin e marrëdhënieve të punës në KLSH në këndvështrimin e respektimit të të drejtave të njeriut.Në cilësinë e Avokatit të Popullit, dua të shpreh edhe një herë mbështetjen e fuqishme për punën dhe rolin e pazëvendësueshëm të KLSH, në mirëpërdorimin dhe mbrojten e fondeve shtetërore  dhe t’ju uroj suksese në punën tuaj të përditshme .